Në burg për dy akuza, Vangjush Dako apelon vendimin
Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako ka ankimuar në Apelin e Posaçëm vendimin e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që e la në arrest në burg për shpërdorim detyre në dy raste.
Përmes avokatit te tij mbrojtës i është drejtuar Apelit të Posaçëm që të ndryshojë vendimin e dhënë nga gjyqtari Erion Bani që e la ish-numrin një të bashkisë në qeli deri në përfundim të hetimeve.
Ende nuk është hedhur shorti në Gjykatën e Apelit për të caktuar gjyqtarin dhe datën se kur do të shqyrtohet seanca.
Vangjush Dako u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme me dyshimin se ka shpërdoruar detyrën në dy raste.
E para në lidhje me dhënien e lejes për ndërtimin e një pallati në Durrës në kundërshti me ligjin dhe tenderi për blerjen e një projekti për zhvillimin e vijës bregdetare që iu rrit vlera 10-fish.
Në seancën e vlerësimit të masës, Dako kërkoi detyrim paraqitje, arrest shtëpie ose garanci pasurore, duke e konsideruar masën shtrënguese arrest në burg si të padrejtë.