Kryeministri britanik Farage: Në bisedime me Edi Ramën për kthimin e të burgosëve në Shqipëri
Kryeministri britanik, Nigel Farage, ka deklaruar se ndodhet në bisedime me kryeministrin shqiptar Edi Rama për një marrëveshje që synon kthimin në Shqipëri të të burgosurve shqiptarë që ndodhen aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë një konference për shtyp, ku prezantoi planin e partisë së tij për drejtësinë penale, Farage tha:
“Jam në bisedë me Edi Ramën nga Shqipëria dhe mendoj se ai ka rënë dakord që do të marrë mbrapsht të gjithë të burgosurit shqiptarë që ndodhen në këtë vend, gjë që është mjaft pozitive”
Kjo deklaratë vjen pak pasi Farage e sfidoi publikisht Ramën në platformën X (ish-Twitter), duke i kërkuar që të pranojë rikthimin e kriminelëve shqiptarë në vendin e tyre të origjinës. Sfida e Farage pasoi kritikat e Ramës ndaj Britanisë së Madhe, të cilën ai e përshkroi si një “vend i errët” pas daljes nga Bashkimi Evropian.
Në të njëjtën konferencë, Farage bëri publike edhe kostot e planit të tij politik, të cilin e vlerësoi në 17.4 miliardë paund. Sipas tij, fondet do të sigurohen përmes anulimit të projektit hekurudhor HS2 dhe eliminimit të objektivit për emetimet neto zero.
Lideri i Reform UK gjithashtu propozoi një qasje më të ashpër ndaj krimeve të rënda, përmes një sistemi të quajtur “tre goditje”, që do të çonte drejt burgimit të përjetshëm personat e dënuar për më shumë se tri vepra të rënda penale.
“Nëse njerëzit dënohen për më shumë se tre vepra të rënda penale, atëherë, sinqerisht, ne mendojmë se kjo i vendos ata në një rrugë drejt burgimit të përjetshëm,” tha ai.
Për të përballuar mbingarkesën në sistemin penitenciar, Farage sugjeroi ndërtimin e “burgjeve Nightingale”, një koncept i ngjashëm me spitalet e përkohshme të ngritura gjatë pandemisë së Covid-19, me qëllim krijimin e hapësirave shtesë për të burgosur.