Ndoti mjedisin, duke hedhur mbeturina nga automjeti, Kozaku përfundon në polici dhe …

Personazhi i njohur i rrjeteve sociale, Kozak Braçi është ndëshkuar me një gjobë prej 100 000 lekësh pasi u kap në flagrancë në një video teksa hidhte mbeturina nga një automjet në lëvizje, duke ndotur mjedisin.

Videoja, e publikuar së fundmi në rrjetet sociale, tregonte një person që hidhte mbeturina nga dritarja e makinës ku ishte pasagjer. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 reaguan menjëherë duke kryer verifikime për identifikimin dhe ndëshkimin e autorit të shkeljes.

Pas hetimeve, u zbulua se videoja ishte regjistruar disa kohë më parë, ndërsa personi që shfaqej në të u identifikua si K. B., 32 vjeç. Ai u shoqërua në ambientet e policisë për të kryer veprimet procedurale të nevojshme.

NJOFTIMI I POLICISE: 

Tiranë/Ndoti mjedisin, duke hedhur mbeturina nga automjeti me të cilin lëvizte, ndëshkohet me 100 000 lekë gjobë, 32-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, në të cilën shfaqej një shtetas duke hedhur mbeturina nga dritarja e automjetit në lëvizje, ku ishte pasagjer, kryen verifikimet për nxjerrjen e këtij shtetasi, përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i verifikimeve u konstatua se videoja e publikuar ishte regjistruar para disa kohësh, si dhe u identifikua shtetasi që kreu shkeljen, konkretisht K. B., 32 vjeç Ai u shoqërua në ambientet e Komisariatit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Në përfundim të këtyre veprimeve, në zbatim të nenit 351 të VKM nr. 153, datë 07.04.2000, dhe nenit 15 të Kodit Rrugor, 32-vjeçari u ndëshkua me masë administrative gjobë 100 000 lekë.

Gjithashtu, materialet procedurale për këtë rast iu referuan Prokurorisë së Tiranës, me qëllim vlerësimin juridik të mëtejshëm.