Ndërtoi pa leje në vijën bregdetare, në Radhimë, vihet në pranga 46-vjeçari. Si rezultat i kontrolleve dhe i verifikimeve me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e ndërtimeve, veçanërisht të atyre në zonat urbane dhe në ato bregdetare, shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, kanë goditur një tjetër rast të paligjshmërive në këtë fushë.
Gjatë kontrolleve u konstatua se shtetasi B. K. kishte nisur të ndërtonte një mur rrethues, në vijën bregdetare, në Radhimë, pa lejen e organeve kompetente.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Orikum arrestuan shtetasin B. K., 46 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprime të mëtejshme.