MPEJ/Konventa e Vjenës e lejon, jemi duke eksploruar këtë mundësi por e përjashtojmë Iranin
Ministria e Punëve të Jashtme pranon se Irani ka gjeur hapësira të rifutet në Shqipëri përmes Turqisë.
Në një përgjigje ekskluzive , MPEJ shkruan se deri më tani nuk ka asnjë diskutim për hapje te një seksioni interesi te Iranit ne Shqipëri pranë ndonjë ambasade të një shteti tjetër, por ka një nen në Konventën e Vjenës që ia jep këtë hapësirë. Bëhet fjalë për nenin 46 që shkruan se kur një shtet nuk përfaqësohet në një shtet tjetër, për të mbrojtur interesat e qytetarëve të tij, merr miratimin e një vendi të tretë. Gjithsesi, sipas MPEJ-së, Shqipëria është duke eksploruar ketë mundësi, por duke përjashtuar hapjen e seksionit të interesit të Iranit në Shqipëri.
Përgjigjia:
Pershendetje, Në përgjigje të pyetjes tuaj në lidhje me informacionin e kërkuar ju bëjmë me dije se: Nuk ka asnjë diskutim për hapje te një seksioni interesi te Iranit ne Shqipëri pranë ndonjë ambasade të një shteti tjetër. Në rast të shkëputjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve, Konventa e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike parashikon në nenin 46 te saj se:
“….një shtet dërgues, me miratimin paraprak te një shteti pritës dhe me kërkesë te një shteti të tretë që nuk përfaqësohet ne shtetin pritës, mund te marre përsipër mbrojtjen e përkohshme te interesave shtetit të tretë dhe të qytetareve të tij”
Ne kushtet kur Shqipëria dhe Irani nuk kane marrëdhënie diplomatike, ky nen i Konventës se Vjenës krijon mundësinë e përfaqësimit te interesave te Iranit ne Shqipëri nga një shtet tjetër dhe te përfaqësimit te interesave te Shqipërisë ne Iran nga një shtet tjetër. Shqipëria, në kontakt me partneret e saj, është duke eksploruar ketë mundësi, por duke përjashtuar hapjen e seksionit te interesit te Iranit ne Shqipëri. Duke ju falënderuar për mirëkuptimin, Koordinatori.
Si lindën dyshimet?
Mediat e huaja raportonin apk ditë më parë se Turqia ka “hyrë mik” që Shqipëria t’i japë një tjetër mundësi Iranit. Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian njoftonte se Teherani ka rënë dakord të hapë “një seksion interesash” përmes Turqisë në Shqipëri, fill 6 muaj pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Tiranën. Ka qenë homologu i tij turk, Mevlut Çavusoglu, që i ka premtuar të hapë një seksion të interesave iraniane në Shqipëri.
Ç’ndodhi mes Iranit dhe Shqipërisë?
Shtatorin e kaluar, qeveria shqiptare dëboi nga vendi personelin e ambasadës iraniane për një sulm të madh kibernetik për të cilin qeveria fajësoi Iranin. Marrëdhëniet midis Teheranit dhe Tiranës ishin tensionuar vitet e fundit pasi Shqipëria ra dakord të priste 3,000 anëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit, grupi i opozitës iraniane në mërgim, me kërkesë të SHBA-së dhe OKB-së në vitin 2013.