EMRAT/ Me kallash gati për qitje, tre të arrestuar në dy operacione në Mirditë. Policia parandalon dy ngjarje kriminale

Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë, në dy operacione të ndryshme të zhvilluara në Qarkun e Lezhës.

Një operacion i koduar “Repsi” arrestoi në flagrancë dy vëllezër, të cilët sipas policisë po përgatiteshin të kryenin një ngjarje kriminale.

Në pranga përfunduan Besnik Gjoka dhe Prengë Gjoka. Ndërkaq, një operacion i koduar “Fani” bëri të mundur arrestimin e shtetasit, Nikollë Karaqi pasi posedonte armë zjarri kallashnikov.

Njoftimi:

Strukturat e DVP Lezhë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme në fushën e armëmbajtjes pa leje, të zhvilluara në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë finalizuar 2 operacione për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kanë goditur një rast të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, në banesë.