Ministri i Brendshëm Taulant Balla e ka nisur ditën e sotme me një takim me strukturat e Policisë së Shtetit të cilët meren me mbarëvajtjen e sezonit turistik në Durrës.
Në fjalën e tij Balla ka falenderuar punën e mirë të bërë nga uniformat blu për mbarëvajtjen e një sezoni model duke nënvizuar se vera ende nuk ka mbaruar, ndaj kujdesi në të gjitha plazhet duhet të vijojë me të njëjtin intensitet.
“Kam ardhur së pari t’ju falenderoj për punën e mirë që keni kryer të gjitha forcat e përfshira në këtë operacion, do ta quaja unë, mbarëkombëtar, për mbarëvajtjen e sezonit turistik, por edhe t’ju kujtoj që sezoni është në kulmin e tij, sepse pushuesit do të vazhdojnë të frekuentojnë plazhet, dhe ndërkohë që jemi edhe në situatën që një pjesë e pushuesve përmes trageteve po kthehen nga Italia dhe vendet e tjera të Europës, na duhet që kujdesin në të gjitha plazhet ta kemi me të njëjtin intensitet që e kemi pasur deri më tani.
Të mos mendoni që pjesa më e rëndësishme e sezonit ka mbaruar”.
Balla gjithashtu u është drejtuar punonjësve të policisë se duhet të jenë aty në çdo kohë për t’u ardhur në ndihmë çdo qytetari, duke u dhënë shembullin e efekivit Redin Çaushajt i cili bëri detyrën edhe jashtë orarit të shërbimit, ndaj nënvizoi Balla se shprehjen “ç’më duhet mua” duhet t’ia lëmë të shkuarës.
“Nisur edhe nga një ngjarje që na ndodhi në Vlorë, ku njëri prej kolegëve tuaj dhe i imi, nëse doni ta quaj, Redin Çaushaj, edhe pse ishte jashtë shërbimit, mori përsipër detyrën, që i takon dhe ndërhyri, dhe në ndërhyrje e sipër u plagos dhe, për fatin tonë të mirë dhe të gjithëve, ai sot është jashtë rrezikut për jetën.
Dua ta marr këtë si një shembull që në detyrën tuaj, një prej gjërave që gjithmonë ka ndikuar, do ta quaja për keq, është ajo shprehja ç’më duhet mua! Unë mendoj që atë shprehje duhet t’ia lëmë të shkuarës. Por ne jemi dhe ju jeni këtu pikërisht për të ndërhyrë sa herë që të jetë e nevojshme dhe duhet t’i dalim përpara çdo lloj konflikti. Ka shumë arsye pse ndodhin konflikte mes individëve të caktuar, por prezenca e një punonjësi policie aty afër është pikërisht për të garantuar, për të ndërhyrë në kohë dhe për parandaluar çdo lloj forme përshkallëzimi.
Prandaj e mora këtë si shembull për të thënë që edhe në këto dy – tre ditët e fundit, kemi pasur raste të caktuara konfliktesh, kishim në Tiranë, kishim dje në Kuçovë.
Dhe ne na duhet të ndërhyjmë menjëherë. Meraku dhe porosia ime është që koha e mbërritjes tonë, sa herë që një qytetar thërret për ndihmë, duhet të shkurtohet sa më shumë. Dhe prandaj sa më shumë prezencë dhe sa më shumë ndërhyrje efikase”.
Balla ka falenderuar Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës për një sërë aksionesh të rëndësishme të cilat kanë çuar përpara ligjit autorët.
“Gjej rastin të përgëzoj policinë, Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës për një sërë aksionesh të rëndësishme dhe operacionesh të rëndësishme, të cilat kanë vënë para ligjit persona, të cilët kanë kryer krime të caktuara. Të kujtoj që edhe në Durrës kemi një numër të lartë të personave në kërkim, që janë gjithmonë një burim i një akti të rëndë tjetër kriminal.
Prandaj ne duhet të rrisim sa më shumë vëmendjen dhe kontrollin tonë. Është bërë një punë e mirë. Do të vazhdojë kjo punë e mirë”.
Balla ka vënë edhe njëherë në dukje se një erë e re ka nisur në policinë e shtetit duke garantuar çdo punonjës policie se ai do të jetë aty për ti takuar të gjithë e për t’u ardhur në ndihmë që trajtimi i uniformave blu të jetë i duhuri.
“Arsyeja ime këtu dhe shtrëngimi i dorës me çdo punonjës policie është pikërisht për t’ju thënë që unë nuk jam mbi ju, por dua të më shikoni si njërin prej jush. Kam shtrënguar duart me qindra punonjës policie në një kohë kaq të shkurtër dhe të jeni të sigurtë që do të arrij që të takoj personalisht çdo punonjës të Policisë së Shtetit, edhe pse jemi afro 10 mijë punonjës të Policisë së Shtetit, por kjo nuk do të kërkojë një kohë të gjatë që unë të kem takuar secilin prej jush, për t’ju garantuar që unë do bëj gjithçka që trajtimi i duhur financiar për çdo punonjës policie, orët jashtë orarit apo problematika të tjera, që kanë ekzistuar prej vitesh të marrin një zgjidhje sa më të mirë të jetë e mundshme dhe brenda pritshmërisë së secilit prej jush”, është shprehur Balla.