Malësi e Madhe/ I shpallur në kërkim për kultivim kanabisi, arrestohet 55-vjeçari
Një nga personat e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Alpe të pastra” ka rënë në prangat e policisë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Alpe të pastra”, është arrestuar shtetasi Ajet Delishaj i cili dyshohet se ka kultivuar 6300 fidanë narkotikë në tokë dhe 20 300 fidanë të tjerë në kubikë, të cilët u gjetën dhe u asgjësuan nga Policia, 3 ditë më parë.
55-vjeçari ishte shpallur në kërkim gjatë fazës së dytë të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”, që u zhvillua 3 ditë më parë, në zbatim të planit operacional për kontrollin e territorit.
Ky shtetas dyshohet se është autori i kultivimit të 6300 fidanëve të dyshuar cannabis sativa në tokë dhe i 20 300 fidanëve të tjerë në kubikë, që u gjetën nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, gjatë kontrollit të territorit të fshatrave Gruemirë dhe Çesme, Malësi e Madhe.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.