Prokuroria e Elbasanit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Donald Hoxhën, të akuzuar për vrasjen e ish-efektivit të policisë Roland Rexhepi në vitin 2009.
Sipas prokurorisë, Donald Hoxha akuzohet për veprën penale “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenet 78/a dhe 25 të Kodit Penal. Hetimet e kryera mbi procedimin penal nr. 833/3 të vitit 2009 kanë arritur në përfundimin se Hoxha është përfshirë drejtpërdrejt në ekzekutimin e ish-efektivit të policisë Roland Rexhepi.
Vrasja e ish-efektivit të Policisë dhe kalvari i ngjarjeve të rënda në Elbasan
Mëngjesin e 23 korrikut 2009, ish-efektivi i Policisë, Roland Rexhepi, u ekzekutua me breshëri automatiku në një atentat mafioz, duke mbetur i vdekur në vend. Ngjarja tronditi qytetin e Elbasanit dhe u konsiderua një atentat i mirorganizuar nga Policia e Shtetit. Autorët e krimit, të maskuar gjatë sulmit, e bënë të vështirë identifikimin e tyre, por hetimet kriminalistike zbuluan provat vendimtare.
Ekspertët arritën të siguronin ADN-në e autorëve përmes një bishti cigareje, një motor dhe një kapuç të gjetur pranë vendngjarjes. Krahasimi i ADN-së çoi në identifikimin e Florind Shabanit, i dënuar më parë në Gjermani për trafik droge. Falë ndihmës së autoriteteve gjermane, ADN-ja e tij u krahasua me atë të babait, Ismail Shabani, duke vërtetuar përfshirjen e tij në ngjarje. Pavarësisht provave, asnjëri nga të dyshuarit nuk pranoi krimin.
Një tjetër person, Florenc Shabani, u identifikua nga Prokuroria si bashkëpunëtor në këtë vrasje, pasi ADN-ja e tij përputhej me provat e gjetura në vendngjarje.
Vrasja e biznesmenit Ilir Rexhepi
Dy vite pas vrasjes së Roland Rexhepit, në 30 dhjetor 2011, një tjetër ngjarje e rëndë goditi familjen Rexhepi. Biznesmeni Ilir Rexhepi, vëllai i ish-efektivit të vrarë, u ekzekutua në qendër të Elbasanit. Në pamjet e kamerave të sigurisë u pa një person që largohej duke çaluar, pasi biznesmeni Rexhepi u përpoq t’i kundërpërgjigjej me armë atentatorit. Ai humbi jetën pak momente më vonë.
Kjo vrasje mbeti e pazbardhur për vite, deri në qershor 2025, kur autoritetet shpallën në kërkim shtetasin Mihalalias Mirgen Toshi, ndaj të cilit u caktua masa e sigurisë “Arrest me burg”. Megjithatë, mbetet ende mister kush e porositi vrasjen e Ilir Rexhepit.
Kalvari i gjatë i vrasjeve në Elbasan
Ekzekutimi i Roland Rexhepit hapi një seri ngjarjesh të rënda në Elbasan, të shoqëruara nga përplasje mes grupeve kriminale. Shumë prej këtyre vrasjeve mbeten ende të pazbardhura, ndërsa për disa të tjera autorët janë identifikuar, por porositësit vazhdojnë të jenë në hije.
Një prej të dyshuarve fillestarë për vrasjen e Rexhepit ishte Bledar Muça, i cili u largua jashtë Shqipërisë pas krimit. Edhe pse ndaj tij nuk pati një akuzë zyrtare, Muça u rikthye në Shqipëri pas dy vitesh, duke mohuar çdo përfshirje në ngjarje.
Tre vite më vonë, në një atentat të ndodhur afër Gjykatës së Elbasanit, Bledar Muça u bë objektiv i një tjetër sulmi, së bashku me Florenc Çapën. Një breshëri automatiku goditi makinën ku ndodheshin ata, duke plagosur edhe një efektive policie që ndodhej rastësisht në vendngjarje. Në vendngjarje u gjetën 29 gëzhoja, por autori arriti të largohej pa lënë gjurmë, pavarësisht se zona ishte e populluar.
Ky kalvar ngjarjesh përforcoi klimën e pasigurisë në qytetin e Elbasanit, duke e kthyer atë në një arenë përplasjeje mes grupeve rivale kriminale, me shumë enigma ende të pazgjidhura nga drejtësia.