Iu drejtoi pistoletën punonjësve të Policisë, që të shmangte arrestimin, pasi e ndaluan për kontroll, teksa lëvizte me automjet, neutralizohet dhe vihet në pranga 41-vjeçari. Sekuestrohet pistoleta me fishekë në fole, e gatshme për qitje. Pas testit të alkoolit, 41-vjeçari rezultoi në gjendje të dehur, në masën 1.395 mg/l.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në kuadër të kontrolleve të shtuara gjatë natës, në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, të mbështetura dhe nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Neutralizimi”.
Në kuadër të këtij operacioni, në Shëngjin, në mesnatë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin që drejtohej nga shtetasi Luan Zabata., i cili ka krijuar dyshime tek punonjësit e Policisë, nga përgjigjet dhe sjellja e tij. Për këtë shkak, është informuar se do t’i kryheshin kontrolle fizike dhe kontrolle në automjet, si dhe testi i alkoolit. Në atë moment, ky shtetas ka kundërshtuar kryerjen e veprimeve procedurale duke nxjerrë një armë zjarri që mbante me vete dhe ua ka drejtuar punonjësve të Policisë, me qëllim që të largohej dhe të shmangte arrestimin.