SPAK ka marrë në pyetje personat e arrestuar për trafikimin e 430 kg kokainë në Frakull të Fierit. Gazetari Ermal Vija raporton se ka dhënë sqarime Enxhi Ferhati, e fejuara e Denilson Çervanakut. Ajo merrej me komunikimet me e-mail me kompaninë në Kolumbi për blerjen e plehut kimik ku ishte fshehur kokaina por ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të aktivitetit kriminal.
Gjithashtu Abc News mëson se ajo ka thënë se është informuar nga partneri i saj pak ditë para se të kryheshin arrestimet. Kujtojmë që gjykata mori vendimin me 4 Janar për të lënë në burg 5 të akuzuarit Enxhi Ferhati, Bledar Matoshi, Klajdi Matoshi, Redin Meshi dhe Julian Malaj.
Laboratori i drogës në Fier u zbulua në nëntor të vitit të kaluar, ku u sekuestrua edhe 430 kg kokainë. Laboratori u zbulua pas një operacioni të DEA-s në bashkëpunim me SPAK dhe policinë malazeze. Droga ishte fshehur në një ngarkesë me pleh kimik u porosit nga vëllai i ish-kryeplakut të Frakullës, Viktor Çervanaku.
Droga u nis nga Kolumbia në maj dhe mbërriti në Shqipëri me kamion nga Mali i Zi në shtator.