Kush është nipi i Agron Çelës, supermashtruesi që arriti të marrë dhjetëra automjete luksoze
Nga Aida Topalli
Policia e Shkodrës njoftoi sot përfundimin e një operacioni, si rezultat i të cilit u sukestruan 6 automjete të tipeve të ndryshme, të gjitha luksoze.
Në kuadër të këtij operacioni u vu në pranga 22 vjeçari Ervin Çobaj, dhe u shpall në kërkim Gentian Çela, nipi i biznesmenit shkodran, Agron Çela.
Të dy këta shtetas, përmes mashtrimit, kishin arritur të përvetësonoin dhjetëra automjete luksoze, që kapnin vlerat e mbi 50 mijë eurove secila. Kryesuesi dhe iniciuesi i kësaj skeme ishte pikërisht Gentian Çela. Ai bindte klientët t’i jepnin fillimisht automjetin, duke nënshkruar kontratën noteriale dhe pas këtij veprimi, do jua kalonte paratë në bankë, gjë e cila nuk ndodhi kurrë.
Por përse i besonin Gentjan Çelës?
Duke qenë nipi i biznesmenit më të fuqishëm në Shkodër, Agron Çelës, klientët kishin bindjen se tranferta bankare, pas firmosjes së kontratës do të bëhej, pasi kishin të bënin me nipin e një personi që gjeneronte shumë të ardhura dhe kishte shumë popullaritet në kryeqendrën e veriut.
Njoftimi i plotë i policisë:
Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Skema”, sekuestrohen 6 automjete luksoze të tipeve të ndryshme. Përfitonin automjete luksoze, përmes mashtrimit, duke mos u dhënë pronarëve të automjeteve, paratë për to, vihet në pranga 22-vjeçari dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Në hetim edhe një shtetas tjetër, pasi dyshohet se duke patur dijeni për këtë veprimtari të kundërligjshme, i përvetësonte këto automjete, me qëllim shitjen. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, si rezultat i një hetimi të ndjekur me metoda proaktive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Skema”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi E. Ç., 22 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi G. Ç., 33 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Nga provat e siguruara gjatë hetimit, rezultoi se shtetasit E. Ç. dhe G. Ç., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mashtronin shtetas të ndryshëm, me pretendimin se çmimin për blerjen e automjeteve (kryesisht luksoze), do e transferonin në llogarinë bankare përkatëse të shitësit të automjetit. Këta shtetas, edhe pasi i merrnin në posedim automjetet, nuk e paguanin çmimin e tyre, përmes llogarive bankare.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. H., 44 vjeç, pasi dyshohet se duke patur dijeni për këtë veprimtari të kundërligjshme, i përvetësonte këto automjete, për t’i shitur ato, me çmime më të larta. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 6 automjete luksoze të tipeve “Audi”, “Mercedes-Benz” dhe “Porsche”. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për kapjen e shtetasit G. Ç.
Gjithashtu, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër apelojnë për qytetarët që kanë rënë pré e mashtrimit nga këta shtetas, që të paraqiten në ambientet e Policisë, për të denoncuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, per veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.