Konflikti për pronat në Kepin e Rodonit, lirohet Mark Frroku dhe shtatë të arrestuarit e tjerë
Ish-deputeti Mark Frroku dhe shtatë personat e tjerë, të arrestuar pas konfliktit për pronat në Kepin e Rodonit, janë lënë të lirë nga Gjykata e Durrësit.
Gjatë seancës, avokati i Provincës Franceskane Shqiptare, Sokol Dedndreaj, kundërshtoi prokurorin dhe kërkoi paligjshmërinë e arrestimit në flagrancë për 3 klientët e tij, Mark Frrokun, Martin Lazrin e Antonio Lazerin dhe kërkoi mos caktimin e asnjë mase sigurimi për ta. Sipas tij, Provinca Franceskane ka një kontratë sipërmarrjeje me kompaninë AML Group, ku është ortak Mark Frroku. Personat e prezantuar si banorë të zonës kanë goditur punonjësit e firmës, të cilët ishin aty për të kryer detyrën.
Avokati i banorëve, Skënder Jaka, deklaroi se “konflikti është acaruar, po nuk është vetëgjyqësi, pasi kanë vepruar në mbrojtje të pronës së tyre“. Ai ia la në çmim gjykatës vleftësimin e arrestit, por kërkoi që të mos caktohet asnjë masë shtrënguese për katër banorët e arrestuar.
Konflikti për pronat në bregdet agravoi pak ditë më parë në përdorimin e armëve. Përfaqësues të kishës katolike françeskane kanë qenë duke rrethuar këtë pjesë toke për të kufizuar pronën e tyre të cilën e kanë me certifikatë pronësie. Por pronësinë e saj e pretendojnë dhe banorë të zonës.
Familja Kaçuli ka një tjetër certifikatë pronësie dhe pretendon se e ka fituar atë përmes ligjit 7501. Të dyja palët u përfshinë në një konflikt fizik mes të cilëve dhe ish-deputeti Mark Frroku, po vendosnin gardhin për të rrethuar pronën e tyre.
Ndaj ish-deputetit Mark Frroku, që ishte në rolin e sipërmarrësit, dhe përfaqësuesve të tjerë të kishës françeskane rëndojnë akuzat për “kanosje”, “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, “prishje e rendit dhe qetësisë publike”, si dhe “moskallëzim krimi”. Ndërkohë banorët e arrestuar akuzohen për “vetëgjyqësi” dhe “plagosje me dashje”. Në kërkim është shpallur një tjetër person, nga grupi i përfaqësuesve të kishës që dyshohet se qëlloi me armë zjarri në vendin e ngjarjes.