Konflikti mes të rinjve në Lezhë, arrestohen dy persona, dy të tjerë ende në arrati
Policia e Lezhës ka arrestuar dy persona të shpallur më herët në kërkim në lidhje me konfliktin e ndodhur mesditën e 11 prillit 2025 në qytetin e Lezhës, ku disa të rinj u përfshinë në një përleshje të dhunshme.
Të arrestuarit janë shtetasit R. M., 20 vjeç, dhe A. D., 15 vjeç, të cilët dyshohen për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Prishja e qetësisë publike”. Burime zyrtare bëjnë me dije se Policia ka zhvilluar një sërë kontrollesh të shpejta dhe të fokusuara, duke u mbështetur edhe në inteligjencën policore, çka ka çuar në lokalizimin dhe ndalimin e tyre.
Sipas të dhënave, ngjarja ndodhi në një zonë të populluar të qytetit dhe përfshiu disa të rinj që u konfliktuan fizikisht, çka rezultoi në plagosjen e njërit prej tyre. Gjatë operacionit, është sekuestruar edhe automjeti i përdorur gjatë ngjarjes, i cili do të shërbejë si provë materiale në hetim.
Ndërkohë, dy persona të tjerë mbeten ende në arrati, përfshirë një 15-vjeçar që është shpallur në kërkim si i dyshuar për përfshirje në ngjarje.