“Kodra e Diellit 2”/ Antidroga e Tiranës shkatërron një tjetër grup shpërndarësish
Një operacion antidrogë u zhvillua mbrëmjen e kaluar nga seksioni kundër Narkotikëve në DVP Tiranë. Si rezultat, u vunë në pranga 5 shtetas.Ndërsa u seksuestrua një sasi prej 2.3kilogramësh lëndë narkotike e llojit kokainë.
Kjo lëndë kapte vlerën e tregut rreth 200 mijë euro.Kujtojmë se përgjatë muajve të 2023, struktura Antidrogë në DVP Tiranë ka dhënë rezultate të mira. Vetëm pak kohë më parë u finalizua operacioni i koduar Harta, ku u shkatërrua një grup prej të paktën 24 personash, të cilët operonin nëpër Tiranë, përfshirë edhe shkollat.
Ndërkohë një sasi rekord heroine u kap rreth një muaj më parë.Grupi i arrestuar mbrëmjen e kaluar operonte në zonën e Kodrës së Diellit dhe Komunës së Parisit. Ndërkohë që vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Njoftimi i plotë si më poshtë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Kodra e Diellit 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë. Vihen në pranga 5 shtetas që në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike kokainë në sasi të mëdha.
Sekuestrohen 2 kg e 300 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 3 automjete, si dhe 4 aparate celulare. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e suguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kodra e Diellit 2”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: – D. M., 31 vjeç, E. L., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, K. M., 29 vjeç, O. M., 34 vjeç, Sh. P., 30 vjeç, të tre banues në Sarandë.
Në rrugën “Rrapo Hekali”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasit e lartpërmendur, dhe një çantë brenda të cilës dyshohej se kishte lëndë narkotike të llojit kokainë. Gjatë kontrollit të çantës janë gjetur 2 pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me një peshë totale 2 kg e 300 gr.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në sasi të mëdha, dhe më pas e shisnin atë rreth 30 mijë euro kg, në vende të ndryshme në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 2 kg e 300 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 3 automjete si dhe 4 aparate celulare.Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.