Kishin dalë së bashku për gjueti, 38-vjeçari plagos me armë zjarri kushëririn e tij

Një 38-vjeçar në Përmet ka plagosur me armë zjarri aksidentalisht kushëririn e tij teksa kishin dalë për gjueti.

Mësohet se ngjarja ndodhi në fshatin Munushtir i Vjetër, ndërsa 38-vjeçari është arrestuar nga forcat e policisë, që kanë sekuestruar edhe armën e gjahut.

Raportohet se 37-vjeçari mori një plumb në krahë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën pasi është transportuar me urgjencë në spitalin e Përmetit.

Njoftimi i policisë:

 

 

Plagosi aksidentalisht, me armë gjahu, kushëririn e tij, ndërkohë që po kryenin gjueti të kundërligjshme, në fshatin Munushtir i Vjetër, vihet në pranga 38-vjeçari.

Sekuestrohet arma e gjahut me të cilën u krye plagosja.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit se në Urgjencën e spitalit të Përmetit, kishte shkuar i plagosur shtetasi G. B., 37 vjeç, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Nga hetimet rezultoi se 37-vjeçari ishte plagosur aksidentalisht, me armë gjahu, nga kushëriri i tij, shtetasi G. B., në fshatin Munushtir i Vjetër, teksa kryenin gjueti të kundërligjshme.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua shtetasi G. B., 38 vjeç, banues në fshatin Munushtir, për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia” dhe “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër”. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut e 38-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.