Kërkoi lirimin e menjëhershëm nga qelia, Gjykata e Apelit jep vendimin për Valter Bamin

Gjykata e Apelit ka lënë në qeli Valter Bamin, i dyshuar si i përfshirë në atentatin në Larushk të Krujës më 4 korrik ku mbeti i vrarë 29-vjeçari Ramazan Sino, kunati i shënjestrës, Gentian Bejtja.

 

Valter Bami, i dyshuar për kryerjen e veprës penale Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe imunicionit”, kishte apeluar vendimin e Shkallës së Parë.

“Kërkoj shfuqizimin e vendimit, vlerësimin e paligjshëm të ndalimit dhe rrëzimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit“arrest në burg”,
duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm’, ishte kërkesa e tij drejtuar Gjykatës së Apelit.

Por togat e zeza kanë lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Valter Bami u arrestua pasi iu gjetën gjurmët e barutit në duart e tij, pasi u shoqërua në polici për tu marrë në pyetje në lidhje me ekzekutimin e 29-vjeçarit Ramazan Sino, ku mbetën të plagsur edhe dy nipërit e tij (fëmijët e Gentian Bejtjas). Ai ka paraqitur në gjykatë edhe një dokument, përmes së cilit pretendon se armën sportive e ka me leje.

“Ndjej keqardhje për humbjen e jetës së Ramazan Sinos që e kam të kushëri pasi nëna e Ramazanit dhe nëna ime janë vajza tezesh.

Do ta dorëzoj lejen e armës që zotëroj dhe do kërkoj lirimin”, ka deklaruar ai.

Njoftimi i Gjykatës

Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, ka regjistruar procedimin penal, ndaj shtetasit me iniciale V.B, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe imunicionit”.

Gjykata e shkallës së parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest nw burg”, për personin nën hetim shtetasin me iniciale V.B, i dyshuar për kryerjen e veprës penale Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe imunicionit”,të parashikuar nga neni 278/1 të Kodit Penal.

Gjykata e shkallës së parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1506 Regj. Them, datë 10.07.2023, ka vendosur:

1.Vleftesimin si te ligjshem te “arrestimit flagrance” te personit nen hetim V.B.

2.Caktimin si mase sigurimi personal ndaj personit nën hetimV.B ate te “arrestit ne burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale, si i dyshuar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe imunicionit”, të parashikuar nga neni 278/1 të Kodit Penal.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të  bërë nga personi nën hetim  me iniciale V.B, i cili kërkoi:

Shfuqizimin e vendimit, vlerësimin e paligjshëm të ndalimit dhe rrëzimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurimit“arrest në burg”, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij.

Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 28.07.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar znj. Alma Ahmeti,  vendosi:

– Miratimin e vendimit penal nr.1506 regjistri themeltar, datë 10.07.2022 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.