Katër vrasjet e 2021-shit dhe qetësia që pasoi Vlorën. Ku janë autorët e dyshuar të policisë?

Ditën e sotme, drejtuesi i Policisë së Vlorës doli në një deklaratë për mediat, ku sqaroi mbi një megaoperacion të bërë në Selenicë. Një vilë ishte përshtatur për kultivimin me llampa të kanabisit, ndërsa si përgjegjës për këtë vepër penale, bashkangjitur edhe disa të tjera, u vunë 6 shtetas.

Një qytet ku krimi ka gëluar gjithnjë. Megjithatë, ka disa kohë që e ka kapluar qetësia.  Duket se grupet kriminale kanë vendosur të heshtin. E megjithatë, ngjarjet e vjetra nuk duhen lënë në harresë. Janë dhjetëra vrasje të pazbardhura në këtë qytet. Mes të cilave edhe katër të ndodhura në vitin 2021.

Qyteti bregdetar do të bëhej atëkohë, lajm kryesor nëpër të gjitha mediat. Katër atentate të tipit mafioz, të ndodhura në një hark shumë të shkurtër kohor.

Më 21 maj 2021 u qëllua për vdekje Delon Troqe, një personazh me të shkuar të pasur kriminale. 11 ditë para kësaj vrasjeje, po në rrethana ende të pazbardhura, u vra Bledar Birçaj. Më 3 mars u vra Tauland Beqiraj (Manaj, Gjikaj). Ndrësa siparin do ta hapte vrasja e Gentjan Qarrit i njohur me pseudonimin Geçe, më 6 shkurt 2021.

Teksa kanë kaluar dy vjet, policia nuk ka vënë ende asnjë të dyshuar në pranga. Ndërsa dosjet e këtyre vrasjeve, si shumë të tjera, duket se do të pluhurosën në zyrat e hetuesve të ngjarjeve të rënda kriminale.