Kapen 100 kg kokainë në Norvegji, arrestohen 6 shqiptarë

Shërbimi Doganor Norvegjez, në bashkëpunim me rojet bregdetare dhe policinë kanë sekustruar më shumë se 100 kilogramë kokainë në një anije mallrash që ishte ankoruar në Husnes të Norvegjisë.

Mësohet se droga vinte nga Amerika e Jugut. Sipas Agjencisë Doganore, lënda ishte ngjitur poshtë vijës ujore në anije. Gjatë operacionit natën e së enjtes më 13 prill, në Husnes në Kvinnherad, u arrestuan 5 meshkuj dhe 1 femër, të gjashtë janë nga Shqipëria, të moshës 20-40 vjeç.

Shqiptarët mësohet se kanë qëndruar në Norvegji vetëm disa ditë para se të arrestoheshin pas zbulimit të sasive të mëdha të drogës. Një pronar në zonën e Rosendal ka thënë se katër persona hynë në një nga shtëpitë që ai jep me qira të martën.

Sekuestrimi është kapja më e madhe e kokainës në Norvegjinë Perëndimore dhe renditet ndër konfiskimet më të mëdha të kokainës në shkallë vendi thuhet ndër të tjera.