Kaos në spitalin e Vlorës, vdekja e 35-vjeçarit përplas qytetarët me bluzat e bardha


Autoambulanca e amortizuar dhe gati jashtë funksionit e Njësisë Shëndetësore të Orikumit bëhet shkak për një situatë të paprecedentë në Spitalin e Vlorës.

35-vjeçari Arbër Ferati ka ndërruar jetë si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike. Ai u transportua me urgjencë drejt spitalit rajonal të Vlorës për një shans ndërhyrjeje.

Por në momentin e mbërritjes në hyrje të urgjencës së Spitalit ambulancës i është bllokuar dera.

35-vjeçari që humbi jetën 2 ditë më parë teksa punonte me autokombajnë ka rënë në kontakt me tensionin e lartë me një tel në rrugë që është këputur. Ai ka dashur ta largojë, por ka rënë në kontakt dhe ka vdekur në vend.

Sipas mjekëve 35-vjeçari ka mbërritur i pajetë në qendrën shëndetësore në Orikum. Por familjarët kanë kërkuar që të transportohej në Vlorë, duke pasur shpresë për ta risjellë në jetë. Ata kanë qenë të tensionuar dhe kanë goditur autoambulancën, ndaj kur kanë mbërritur në Vlorë dera nuk është hapur pasi është dëmtuar nga goditjet e familjarëve. Për shkak të dhimbjes ata kanë reaguar në mënyrë të dhunshme, ndërsa policia e ka cilësuar sulm të pronës publike reagimin e tyre ndaj autoambulancës.