Gjykata e Vlorës zvarrit çështjen e Jonada Avdiajt, 4 muaj për një seancë paraprake, anulohen gjyqet pa arsye

Edhe pse kanë kaluar 15 muaj nga tragjedia e Potamit, ende drejtësia nuk ka thënë fjalën e fundit dhe çështja po zvarritet, ku për një seancë paraprake po bëhen katër muaj. Më datë 11 korrik të këtij viti prokuroria e Vlorës përfundoi hetimet për për vdekjen tragjike të 7-vjeçares Jonada Avdiaj, e cila u përplas për vdekje me skaf nga ish-efektivi i policisë Arjan Tase, më 2 gusht 2022 në plazhin e Potamit. Prokuroria dërgoi në gjykatën e Vlorës dosjen për gjykim më datë 11 korrik 2023. Kur kanë kaluar 4 muaj, gjykata e Vlorës ende nuk ka zhvilluar gjyqet dhe janë anuluar 4 seanca. Në kaq shumë kohë është mbajtur vetëm një seancë në fillim të muajit gusht, por edhe ajo seancë u anulua për shkak të mungesës së gjyqtares. Pas kësaj seance të anuluar kaluan 3 muaj dhe seanca e pak ditëve më parë është shtyrë sërish për mosprani të dy avokatëve. Sipas deklaratës së avokatit të pandehurit klienti i tij ishte transferuar për në Fier. Qëndrimi i gjyqtarit ishte një gjobë 20 mije lekë për njërin prej avokatëve. Kujtojmë që për këtë çështje është ndërruar edhe gjyqtari por edhe prokurorja e cila e ka mbyllur hetimin, ndërsa sot çeshtjen e përfaqëson një tjetër prokuror. Ende nuk dihet arsyet dhe pse gjykata e Vlorës po e zvarrit çështjen.
Kujtojmë që dosjen e prokurorisë thuhet se Tase nuk ka respektuar zonën e kufizuar për pushuesit, e cila nuk duhet të kalohet nga mjetet lundruese, dhe ka bërë manovër të gabuar gjatë drejtimit të skafit, duke përplasur për vdekje 7-vjeçaren në plazh, disa metra larg bregut. Arjan Tase është marrë i pnadehur për veprën penale të “Vrasje me dashje” në mënyrë indirekte parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal; Për këtë vepër penale, parashikohet dënim maksimal deri në 15 vite burg.
Në bankën e të akuzuarve janë edhe 8 policë të tjerë për shpërdorim detyre, që Prokuroria e Vlorës i gjen me përgjegjësi për vdekjen e pushueses për shkak të masave që duhej të kishin marrë për sigurinë në plazhe gjatë sezonit turistik. Bëhet fjalë për shefin e kufirit në Vlorë, shefin e Policisë Kufitare në Dhërmi, 3 efektivë me detyrë trupa shërbimi në mjet lundrues, të ngarkuar me kontrollin e vijës bregdetare në Dhërmi, specialisti i rendit në Komisariatin e Himarës dhe 2 përgjegjës dhe punonjës të Policisë Bashkiake të Himarës.