Ish-ministri i drejtësisë Aldo Bumçi: Shkresa ‘Për Shkëlzen Berishën’ është false, kam kërkuar hetim!
Për herë të parë, është pyetur në GJKKO për Gërdecin, ish-ministri i drejtësisë Aldo Bumçi. Bumçi ka pretenduar se faksi për ‘Shkëlzen Berishën’ është fals. Ai tha se kishte bërë një kallëzim pas shpërthimit në Gërdec, duke pretenduar se ishte e falsifikuar dhe se sipas tij ka qenë detyra e Prokurorisë së Tiranës aso kohe që ta hetonte.
Aldo Bumçi ka pranuar të paktën dy takime me Shkëlzen Berishën në zyrë, por pretendon se Shkëlzen Berisha nuk i ka shkuar në zyrë për çështje pune, por për çështje politike.
Ai pranoi se e ka takuar në fund të vitit 2007, ku e ka pritur dy herë në zyrë Shkëlzen Berisha për arsye elektorale dhe se mohoi të kishte diskutuar për çështjen e armëve.
“2 muaj para se të ndodhte ngjarja e kam takuar Shkëlzenin, por për arsye elektorale. Dy here por jo per çështjet e demontimit. Faksi i gjetur te zyra ime është i falsifikuar, e kam bërë kallëzim këtë”– ka thënë Bumçi.
Në seancën e sotme ka dëshmuar edhe ish-sekretarja e Bumçit e cila ka deklaruar se në atë kohë kur është dërguar faksi ka qenë me leje lindje.