Banorët e fshatit Berishë në Bashkinë e Fushë-Arrëzit kanë protestuar këtë të shtunë kundër SPAK-ut. Ata kërkojnë lirimin e ish-kryetarit të Bashkisë, Fran Tuci, duke deklaruar se “rrugën prej 1.3 km e hapem me forcat tona”. Nga ata tjetër banorët e fshatit Berishë ftojnë SPAK të hetoje kompanitë minerare që kanë hapur rrugë në këtë zonë pa leje.
Një muaj më parë Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit la në masën e sigurisë arrest me burg ish-kryebashkiakun soclialist Fran Tuci, pasi akuzohet për dy vepra penale: “Shpërdorimi të Detyrës” dhe “Shkatërrimi të pronës”. “Banorët më kërkuan hapjen e një rruge, kishin mbledhur lekët vetë dhe iu dhashë leje”, deklaroi Tuci para togave të zeza të cilat nuk pranuan kërkesën e mbrojtjes për masë më të butë sigurie.
Nga hetimet rezulton se ka lejuar ndërtimin e rrugës së fshatit Berishë në zonë të pyllëzuar, duke shkaktuar dëm ekonomik në vlerën 234 milionë lekë.
Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e vendosur paraprakisht me burg pa afat për ish-kryebashkiakun Fran Tuci i akuzuar për shpërdorim detyre.
Në fuqi u la arresti me burg edhe për ish-administratorin e njësisë Iballë në Pukë, Ndoc Marku, pasi ka lejuar ndërtimin e rrugës jashtë kritereve në territorin e administruar prej tij.
Biznesmeni Durim Markgjekaj, u shpall në kërkim i akuzuar për shkatërrim prone pasi nuk u gjet për ekzekutimin e masës detyrim paraqitje, me akuzën se ka kryer punimet në terren me mjete të rënda.
Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se në territorin e Bashkisë Fushë Arrëz, në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi, është hapur segmenti i ri rrugor rreth 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili ka cënuar një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor në pronësi të kësaj Bashkie si edhe ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor. Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit në terren, kap vlerën e konsiderueshme të 234,007,500 lekë, i cili përfshin dëmtimin e terrenit si edhe shpyllëzimin e sipërfaqes se regjistruar pranë ASHK, Drejtoria Vendore Pukë, si pasuri të llojit “Pyll” në pronësi të Bashkisë Fushë Arrëz.