Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici del sot para Gjykatës së Posaçme

Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, do të dalë sot para Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë pas arrestimit të tij ditën e shtunë për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”. Para gjykatës do të dalë edhe Alma Kaçi, e cila aktualisht qëndron në arrest shtëpie.

Gjyqtarja Etleva Deda në orën 13:00 do të dëgjojë argumentet e të gjitha palëve, prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës.  Avokati mbrojtës i Gjicit ka deklaruar se ish-kryebashkiaku i Kukësit nuk ka kryer veprën penale të korrupsionit, pasi për projektin në fjalë është diskutuar, por nuk është miratuar. SPAK po kryen hetime të tjera për të mësuar nëse ka persona të tjerë që kanë shtyrë vajzën të kryejë regjistrimin.

Prokuroria po heton edhe deklarimet e Safet Gjicit, i cili në një reagim publik ka deklaruar se është shantazhuar. Ndërkohë  40-vjeçarja ka patur deklarime kontradiktore. Të dyja palët pretendojnë për një lidhje intime mes tyre, por Kaçi nuk ka shpjeguar pjesën më të rëndësishme në këtë histori se cila është arsyeja e regjistrimit të videos. Ndërkohë Prokuroria e Posaçme ka marrë të gjithë pajisjen që është bërë regjistrimi.

Hetimet për Safet Gjicin nisën disa ditë më parë pas publikimit në rrjetet sociale të një video me përmbajtje erotike, ku ish-kryebashkiaku kryente marrëdhënie intime me shtetasen Alma Kaçi.

Pas aktit seksual, ata diskutojnë në zyrë për një projekt që do të financohej nga Bashkia për izolimin e qenve endacakë në Kukës. Menjëherë më pas, Gjici thërret në zyrë një nga vartësinë e tij që të merret me dokumentacionin që do dorëzojë Alma Kaçi.

Të gjitha këto veprime të kryera në harkun kohor të pak minutave, sipas SPAK kanë ngritur dyshimet se ish-kryebashkiaku dhe gruaja në video kanë konsumuar veprën penale të korrupsionit.