Gjykata e Posaçme zhvillon sot seancat e njoftimit të masave të sigurisë të vendosura për 15 të akuzuarit për inceneratorin e Tiranës, dy prej të akuzuarve kryesorë, ish-ministri Lefter Koka dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Mjedisit Alqi Bllako.
Ndërkaq, të akuzuarit Erjon Murataj dhe biznesmenët Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, janë në kërkim. Personat e arrestuar së fundi për inceneratorin e Tiranës, janë Taulant Tusha, Namir Simirxhiu, Bledar Karoli, Jetmir Llapaj, ndërsa në arrest shtëpie, janë Etleva Kondi, Valbona Ballgjini, Alba Thoma, Sidita Kopliku, Silena Toma, dhe ish-punonjësi i kësaj ministrie Pëllumb Abeshi, të cilët duhet të dalin para gjykatës për njoftimin e masave të vendosura më kërkesë të SPAK.
SPAK hetoi kontratën e koncesionit të 31 gushtit të vitit 2017 e lidhur midis Ministrisë së Mjedisit, që në atë kohë drejtohej nga Lefter Koka, dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV”, në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria Integrated Technology Services” në pronësi të Klodian Zotos, por që sipas SPAK pas 2 kompanive qëndrojnë të njëjtë persona Zoto e Mërtiri.
SPAK ka zbuluar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përdorën persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë. Zoto dhe Mërtiri, përfituan përmes faturave tatimore të falsifikuara, 409 milionë lekë, thotë SPAK, dhe akuzon 7 anëtarët e komisionit të dhënies se Koncesionit se i kanë favorizuar, bashkë me Lefter Kokën e Alqi Bllakon, që ndodhen në qeli për Inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, 7 anëtarë të komisionit të dhënies së koncensionit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, kanë propozuar dhënien e bonusit prej 8% të pikëve totale të garës shoqërisë së Zotos e Mërtirit “pa hartuar një raport përmbledhës dhe pa u sqaruar ende kostot e projektit”.
Më tej thotë SPAK, Lefter Koka si ministër i Mjedisit, Alqi Bllako si sekretar i përgjithshëm në Ministri, drejtoresha juridike Alba Thoma dhe përgjegjësi i prokurimeve në ministri Bledar Karolin “kanë përgatitur dhe dërguar më pas projektvendimin në Këshillin e Ministrave”.
Shoqëria e Zotos dhe Mërtirit, thotë SPAK ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese që përpara se të shpallej procedura e dhënies së koncesionit. SPAK thotë se të njëjtët zyrtarë nga ministri Koka deri te 7 anëtarët e komisionit të koncesionit, kanë pajisur shoqërinë me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare, “me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie”
SPAK thotë se dokumentet standarde të koncensionit nuk janë hartuar nga anëtarët e komisionit, por nga vetë punonjës të shoqërisë së Klodian Zotos të cilat më tej janë hedhur në sistemin e prokurimit publik sikur t’i kishin hartuar vetë. SPAK i akuzon anëtarët e komisionit të dhënies së koncensionit se i kanë përllogaritur kostot nga studimi i fizibilitetit të shoqërisë “Integrated Energy BV”, pa kryer asnjë verifikim në lidhje me vërtetësinë e tyre.
Lajm ne perditesim…
1- Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit,- ‘Arrest me burg’- Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’ Masa iu komunikua në burg
2- Alqi Bllako, ish sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, – Akuzohet për ‘Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë të shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë’
Masa iu komunikua në burg
3- Mirel Mërtiri, pronari i Albteckenergy – Në kërkim – Akuzohet për ‘Mashtrim’ e ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale’
4- Klodian Zoto, administrator i kompanisë koncensionare, – Në kërkim – Akuzohet për ‘Mashtrim’
5- Erjon Murataj, anëtar i Komisioni Prokurimit për Inceneratorin e Tiranës,- Në kërkim – Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
6- Bledar Karoli, ish-zyrtar i Ministrisë së Energjisë, arrestuar- Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
7- Taulant Tusha drejtor i Infrastrukturës në Bashkinë e Tiranës, i vetëdorëzuar- Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
8- Namik Simixhiu, Ish anëtar i Komisioni Prokurimit Inceneratorit të Tiranës, arrestuar- Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
9- Jetmir Llapaj punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, arrestuar- Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
10- Pëllumb Abeshi, ish-zyrtari i ministrisë së Mjedisit, i komunikohet masa ‘arrest shtëpie’,- Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
11- Alba Thoma, ish-Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit, – Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
12- Valbona Ballgjini, anëtare e Komisionit të dhënies së koncesionit,- Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
13- Sidita Temali, anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit, – Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
14- Etleva Kondi, anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit, – Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
15- Silena Tola, punonjëse e Qendrës Kombëtare të Biznesit,- Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’.