Identifikohet autori i dyshuar i vrasjes së Arjan Gosës

Habib Rexha është personi që ekzekutoi sot Arjan Gosën në Kavajë. Gosa u vra me një plumb në kokë, teksa ndodhej në një lokal duke konsumuar kafe me babanë e tij.

Replika mëson se Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës. Ky i fundit mbeti i vrarë pas një sherri me Edmond Gosën, vëllain e Arjan Gosës pak muaj më parë.

Pas një sherri mes njëri-tjetrit, Edmond Gosa e qëlloi me thikë ndërsa Altin Rexha iu kundërpërgjigj me armë zjarri. Të dy ndërruan jetë rrugës për në spital.

 

Kavajë/Informacion shtesë në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme në një lokal, në Kavajë.

Identifikohet autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit A. G.

Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit A. G., i cili është shtetasi Habib Rexha, 31 vjeç.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 10000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 84 59999, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.