I shumëkërkuari për vrasje nga Interpoli, kapet në Maqedoni narko-trafikanti Remzi Azemi
Remzi Azemi, i dyshuar për vrasjen e shqiptarit Hidri Iliri kërkohej në Ekuador për veprën penale të vrasjes, është kapur në Maqedoni.
Vrasja e shqiptarit Hidri Ilir, ka ndodhur në maj të vitit 2017 në qytetin Guayaquil të Ekuadorit.
Siç raporton sot gazeta ekuadoriane El Universo, gjatë procesit hetimor janë grumbulluar prova që dëshmojnë lidhjen e Azemit me këtë krim.

Autoritetet ekuadoriane kishin lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar ndaj tij në vitin 2021.
Policia e Ekuadorit bëri me dije se puna hetimore e kryer me Interpolin ka mundësuar kapjen e Remzi Azemit.
“I arrestuari është në pritje të procesit formal të ekstradimit”, tha policia ekuadoriane.
Siç shkruante Gazeta Express vitin e kaluar, Remzi Azemi në vitin 2014 ishte arrestuar gjatë një operacioni anti-drogë në Ballkan, së bashku me 11 të tjerë, përfshirë shqiptarë e ekuadorianë.
Banda e Azemit akuzohej për ruajtjen e sasive të mëdha të drogës në Guayaquil, të cilat i kishin bërë gati për t’i sjellë në Europë, shkruante Express. Ata dyshohej se kishin personel të infiltruar në zonat administrative të porteve, gjë që ua mundësonte atyre t’i merrnin listat e kontenierëve dhe t’i përzgjidhnin ato që ishin të destinuara për në Europë.
Megjithatë, Azemi kishte dalë nga burgu pas një muaji.
Nga fundi i vitit 2017, Azemit iu bë një atentat në qendër të Guayaquilit. Kësaj ngjarjeje, i pasoi ekzekutimi i Ilir Hidrit, po ashtu një narko-trafikant shqiptar i cili vepronte në qytetin e Guayaquilit.