I arrestuar për një reagim në faqen e tij të “Facebook”, Goxhaj këmbëngul se në fakt ai është arrestuar dhe po mbahet në qeli me urdhër nga Serbia, ndërkohë që ditën e djeshme, seanca gjyqësore ndaj tij është shtyrë sërish.
Mbrojtja e Goxhajt më herët ka kërkuar që të dorëhiqet gjyqtarja e shqyrtimit të kërkesës së ekstradimit, por nuk ka ndodhur. Dritan Goxhaj, pak ditë më parë, drejtoi edhe një letër publike ku shpjegonte arsyet se përse duhej të lirohej dhe se arrestimi i tij ishte i padrejtë, ndërkohë që për të ndjekur çështjen e tij, në vendin tonë ka mbërritur edhe një prokuror i huaj. Mbrojtësi ligjor i ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në sallën e gjyqit po edhe jashtë saj ka treguar katër arsye se pse klienti i tij nuk mund dhe nuk duhet të ekstradohet. Fillimisht, u tha se ekstradimi do të bëhej në drejtim të Kosovës, ndërsa tashmë është qartësuar se kërkesa për këtë ekstradim vjen nga Holanda. Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrik 2023 me urdhër arrest të lëshuar nga Gjykata Speciale e Kosovës me qëllim ekstradimin në Hagë.
“ARSYET PSE NUK DUHET TË EKSTRADOHET”
Ardian Visha, avokati mbrojtës i ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj ka renditur katër arsyet se përse ai nuk duhet të ekstradohet në Hagë. Së pari, sipas tij, çështja ka natyrë politike. Kur ka një natyrë politike çështja madje kur është e lidhur me një çështje që ka natyrë politike thotë marrëveshja e ekstradimit që kemi me Kosovës nuk lejohet ekstradimi. A ka një natyrë politike ky kazus? Kjo është një pikëpyetje që far thjeshtë i jepni përgjigje si media pasi e njihni si përmbajtjen edhe derivimin e kësaj përmbajtje për shkak të vëmendjes që ka çdo shqiptar në zhvillimet që po ndodhin në Hagë. Përkrahjen që po ju jepet moralisht luftëtarëve të UÇK-së dhe udhëheqjes së asaj lëvizje në qëndresën e tyre të ligjshme dhe të drejtë. Kështu që natyra politike e çështjes për ne ishte momenti i parë që ne ngritëm si shkak i refuzimit të ekstradimit.
Momenti i dytë për shkak se mungon në fashikull një shkresë ekstradimi e nënshkruar nga ministri i Drejtësisë së Kosovës. Një fashikull ekstradimi duhet të ketë patjetër një kërkesë të firmosur nga autoriteti qendror që është ministri i Drejtësisë. Fashikulli përmban vetëm kërkesë ekstradimi të gjykatës speciale. Ky moment formal është i rëndësishëm dhe ka domethënien e vetë refuzuese në një proces ekstradimi të Goxhajt.
Momenti i tretë është se Dritani kërkohet të ekstradohet drejt Holandës dhe jo drejt Kosovës. Individi që premtohet për t’u dërguar në vendin kërkues do duhet të çohet brenda kufirit gjeografik të atij vendi, i cili për Kosovën ne si Republikë e Shqipërisë e kemi të përcaktuar. Nuk është Holanda territor i Kosovës. Shqipëria nuk ekstradon shtetas të saj në Holandë.
Momenti i katërt është ai që quhet kriminalizim i dyfishtë. Vepra që i adresohet Dritanit është e papërcaktuar pse është penale, pse përbën fakt penal publikimi i tij i bërë në “Facebook”. Më e rëndësishme është se Gjykata që e kërkon nuk ka kompetencë lëndore e as tokësore për këtë vepër. “Gjykata e Hagës ka një juridiksion lëndor të kufizuar për vepra të caktuara të kodit penal dhe vetëm për një periudhë kohore të përcaktuar. Për të katër këto momente duhet të kishim një reagim të prokurorit. Një moment tjetër i rëndësishme, një prokuror i Hagës ishte prezent. Tha se është në cilësi vëzhgimi. Gjykata refuzon pjesëmarrjen e familjarëve dhe lejon si të thuash prokurorin e huaj”, tha Visha.