I fundit që takoi Ervis Martinajn, Gjykata e Lartë refuzon rekursin për Jeton Lamin

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-efektivit të forcave operacionale, Jeton Lami, duke lënë në fuqi dënimin me 2 vite e 10 muaj burgim nga Gjykata e Lezhës për shpërdorim detyre.

Jeton Lami, ish-efektivi i Policisë së Shtetit, është personi i fundit që dyshohet se ka shoqëruar me makinë Ervis Martinajn përpara zhdukjes së tij misterioze në gusht të vitit 2022. I konsideruar një nga figurat më të errëta të botës së krimit në vend, Martinaj është zhdukur pa lënë gjurmë dhe ende sot nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Lami, i cili u arrestua më 23 gusht 2022 nga policia e Lezhës, u dënua vetëm për veprën penale të shpërdorimit të detyrës me 2 vite e 10 muaj burg. Ai ka fituar lirinë pasi pjesën më të madhe të dënimit e ka kryer në paraburgim.

Sipas dosjes hetimore, më 5 dhe 7 gusht të vitit 2022, Lami ka transportuar biznesmenin e shumëkërkuar nga Durrësi në Tiranë dhe anasjelltas. Ai u identifikua nga kamerat e sigurisë së një hoteli në Durrës ku shfaqej në shoqërinë e Martinajt dhe një vajze ende të paidentifikuar. Pikërisht më 7 gusht, policia ka edhe imazhet e fundit të Martinajt, ndërsa më 10 gusht xhaxhai i tij, Faik Martinaj, bëri denoncimin për humbjen e kontakteve me nipin.

Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, Jeton Lami ka mohuar çdo përfshirje në zhdukjen e Martinajt. Ai ka dëshmuar se e ka takuar Martinajn rastësisht në zonën e “Zogut të Zi” në Tiranë, tre ditë para udhëtimit drejt Durrësit. Sipas tij, Martinaj i ka kërkuar ta shoqëronte dhe ai ka pranuar, duke e lënë në një hotel në qytetin bregdetar bashkë me një mikeshe të tij. Një ditë më vonë, Lami pretendon se ka kthyer Martinajn dhe mikeshën në një ambient pranë një karburanti në Vorë, pas së cilës nuk ka më pasur asnjë kontakt me të.

Zhdukja e Martinajt ndodhi pak pas rrëfimeve tronditëse të Nuredin Dumanit, i penduar i drejtësisë në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, që çuan në shpalljen në kërkim të Martinajt nga SPAK. Për zhdukjen e tij janë kryer kontrolle në disa qytete, por deri më sot, hetimet nuk kanë sjellë asnjë rezultat konkret.