Shkodër
Pasditen e djeshme, në sallën operative të Policisë së Shkodrës ka telefonuar një shtetas, i cili ka kërkuar ndihmë pasi për shkak të errësirës kishte humbur orientimin gjatë lëvizjes me biçikletë, me shokun e tij, në malin e Maranaj. Menjëherë pas këtij njoftimi, drejt kësaj adrese, janë nisur shërbimet e Policisë. Pas 2 orësh kërkime në zonë, në mbrëmje, ata kanë gjetur 2 shtetasit (22 dhe 21 vjeç), në zonën e Domnit, dhe i kanë shoqëruar ata deri në qendër të qytetit, afër banesave të tyre.
Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. M., 59 vjeç, banues në fshatin Baks i Ri, Shkodër, pasi ka kryer punime ndërtimi pa lejen përkatëse, në banesën e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen L. D., 39 vjeçe, banuese në Shkodër, pasi në dyqanin në pronësi të saj, në sheshin “Prek Cali”, u sekuestruan shishe me pije alkolike të markave të ndryshme, paketa me cigare dhe qese me duhan, të dyshuara të kontrabanduara.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.