Hodhi benzin në tarracën e një lokali në Tiranë kundrejt pagesës, arrestohet 29-vjeçari
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Fire” është vënë në pranga 29-vjeçari Klizjan Bajrami, i cili para 3 ditësh (12 Tetor) ka hedhur lëndë plasëse në tarracën e lokalit “Urgjenca Club” në rrugën “Gjin Bue Shpata” në Tiranë dhe për pasojë u dogjën panelet diellore dhe disa pajisje të objektit.
Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se ai është paguar nga 24-vjeçari Redi Balla, me shumën 20 000 Lekë të rinj, për kryerjen e këtij krimi. 24-vjeçari është shpallur në kërkim nga policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshje të cilat autori i zjarrvënies, ka patur veshur gjatë kryerjes së krimit, si dhe disa targa automjetesh të shtetësive të ndryshme, të gjetura gjatë kontrollit të banesës së tij.
Mbetet e paqartë se për çfarë arsye është kërkuar djegia e lokalit, por hetuesit kanë dyshime të ndonjë konfliki të pronarëve të lokalit me Redi Ballën. Identifikimi i autorit të zjarrvënies u bë nga agjentët e Komisariatit nr. 2 përmes gjurmimit të kamerave të sigurisë, të cilat pas vëzhgimit identifikuan dhe lokalizuan autorin Bajrami.
Punohet për kapjen e Redi Ballës si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Kujtojmë se Redi Balla është një emër i njohur për policinë pasi ai mbeti i plagosur në zonën e Komunës së Parisit në Tetor 2021 në mjetin e tij të parkuar pranë një lulishteje. Agresorët përfituan atë natë pasi po luhej Shqipëri-Poloni në “Air Albania” dhe vëmendja ishte përqëndruar te ndeshja.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.