Hetimi për Veliajn, SPAK merr të pandehur edhe deputeten e PS, Klotilda Bushka

Prokuroria e Posaçme priti që t’i mbaronte mandati i deputetes, Klotilda Bushkës që t’i komunikonte akuzë për dosjen Veliaj. Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Kryetarja e Komisionit parlamentar të Ligjeve është vënë nën hetim si e dyshuar për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, në çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa.

Sipas SPAK, Bushka kreu veprime aktive të kundealigjshme për të ndërhyrë në hetimin ndaj Erion Veliajt.

“Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024.

Sipas Prokurorisë, deputetja ka kontaktuar një prej personave të marrë në pyetje, Ina Goxhajn, duke e orientuar atë se si duhej të sillej kur të thirrej sërish nga hetuesit. Zonja Bushka, ka hedhur poshtë deklarimet e Goxhajt përpara prokurorëve, duke u shprehur se ajo e ka kontaktuar atë, duke qenë se kanë marrëdhënie farefisnore.