Hetimet për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit, Arben Gjata paraqiten në SPAK

Rektori i Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata është  paraqitur sot ne ambientet e SPAK. Gjata, i cili eshte edhe shefi i kirurgjisë eshte një nga personat e akuzuar për çështjen e koncesionit të sterilizimit. GJKKO për Gjatën ka caktuar masën ‘detyrim paraqitje’.

Gjata, në kohën kur u lidh koncesioni më dhjetor të vitit 2015 ka pasur detyrën e anëtarit të komisionit të koncesionit të sterilizimit.

Kujtojmë që me urdhër të SPAK për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milion euro janë arrestuar ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodjan Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj,  pronari i kompanisë Investital LLC.

Po ashtu ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ai i Financave, Shkëlqim Cani janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për koncesionin kontrovers të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, ndërkohë që ish-zv.ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj u arrestuan të enjten në zbatim të masave të arrestit të firmosura nga Gjykata e Posaçme thuajse dy muaj më parë.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Rrjepaj akuzohet për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj për mashtrim me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.

SPAK njoftoi gjithashtu se ishin ekzekutuar gjashtë masa të tjera sigurie ndaj anëtarëve të komisionit të dhënies së koncesionit, dy prej të cilëve me arrest shtëpie dhe katër të tjerë me detyrim paraqitje pranë oficerit të Policisë Gjyqësore.

Drejtuesit ekonomikë dhe juridikë të ministrisë së Shëndetësisë, Saimir Kadiu dhe M.S u lanë në arrest shtëpie, ndërsa rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata dhe tre anëtarët e tjerë të komisionit, Petref Mersini, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi do të hetohen në masën e detyrimit të paraqitjes.