Hapen aplikimet e maturantëve për në universitet, Kushi: Përfitoni nga mundësitë e ofruara
Duke nisur nga dita e nesërme deri më datë 3 gusht, çdo maturant mund të aplikojë në portalin U-Albania për të zgjedhur listën e degëve ku dëshiron të studiojë.
Në një postim në rrjetet sociale, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi i fton maturantët që të ndjekin studimet e larta në universitetet e Shqipërisë dhe të përfitojnë nga programet e studimit të përbashkëta apo të dyfishta të hapura në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit, si dhe veçanërisht programet e shpallura prioritet kombëtar, në të cilat mund të përfitojnë përjashtim nga tarifat dhe bursë mujore sa paga minimale.
Gjithashtu këtë vit, për herë të parë ju vjen në ndihmë edhe kredia studentore, e cila do të mbulojë tarifën e studimit dhe kostot e jetesës për ndjekjen e një programi studimi, të ciklit të parë ose të dytë. Uroj sa më shumë prej jush t’i shfrytëzoni maksimalisht këto mundësi, për të vazhduar studimet në Shqipëri e pas diplomimit të jetoni, punoni e jepni kontribut për Shqipërinë tonë.”-shkruan Kushi.