Grabitën me forcë një 18-vjeçar, arrestohen dy persona në Tiranë, në kërkim i treti

Dy persona janë vënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohen se pasi vodhën një 18-vjeçar, e futën atë me forcë në automjet.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ranë Arnold Arapaj dhe Agim Drishti dhe u shpall në kërkim një tjetër.

NJOFTIMI I POLICISE

I vodhën me dhunë varësen e floririt dhe celularin një shtetasi, si dhe i hoqën lirinë duke e mbajtur me forcë në automjet, për disa orë, falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve Policisë, identifikohen 3 autorët e dyshuar. 2 prej tyre u kapën dhe u vunë në pranga, vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas marrjes së njoftimit se tre shtetas i kishin vjedhur me dhunë varësen e floririt dhe celularin, si dhe e kishin marrë forcërisht në automjetin e tyre, një 18-vjeçar, duke i hequr lirinë për disa orë, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje, me qëllim vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.