Gjykata e Apelit në Greqi vendos ekstradimin e Laert Haxhiut

Laert Haxhiu, i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, do të ekstradohet nga Greqia në vendin tonë.

Gjykata Apelit në shtetin fqinj vendosi këtë të mërkurë të lejoj ekstradimin e 31-vjeçarit duke rrëzuar një vendim të dhënë dy muaj më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janinë.

Haxhiu kërkohët në Shqipëri, si autor i plagosjes së shtetasit Xhulio Shkurti në vitin 2016, i dënuar me vendim të formës së prerë me 18 vite burg.

Gjithashtu ai është marrë i pandehur nga Gjykata e Posaçme për atë që njihet si masakra e Lushnjës, ku mbetën të vrarë dy persona, Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe u plagosën dy të tjerë në vitin 2017.

31-vjeçari është i pandehur me masë sigurimi arrest në burg në mungesë me vendim të Gjykatës së Fierit për vrasjen e shtetasit Besnik Hida në vitin 2019.

Ndërkohë, në fazën e hetimit paraprak dhe me një tjetër masë sigurimi të lëshuar në mungesë nga Gjykata e Elbasanit, Laert Haxhiu akuzohet se në bashkëpunim me disa persona të tjerë është autor edhe i 4 vrasjeve të tjera në Shqipëri, si dhe 14 ngjarjeve të tjera të ndodhura me shpërthim tritoli, apo grabitje.

Drejtësia deri më tani e konsideron atë si kreun e një bande kriminale.