Gërdeci/Mediu i akuzuar nga SPAK për shpërdorim detyre: Politike, nuk ka asnjë provë të re

SPAK ka përfunduar hetimet për tragjedinë e Gërdecit dhe ka marrë të pandehur ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, ku do t’i komunikohen dy akuza.

“Më është prezantuar e njëjta akuzë. Ajo e 2009, akuzë e motivuar politikisht pa asnjë provë shtesë. Shpërdorimi i detyrës. Kam kërkuar që të pyetem që në fillim. Nuk jam pyetur për aktin e firmos ka 15 vjet. Motivimi politik është në akuzën e bërë. Nuk është urdhri i ministrit që ka bërë problem. Çdo letër që unë kam nxjerr ka qenë me referenca ushtarake dhe civile”tha Mediu.

“Ajo që mu paraqit është fashikulli i dosjes së prokurorisë së Përgjithshme. Qëndrimi im është se jam i pafajshëm. Nuk e pranoj akuzën. Është sipas marrëveshjeve me Pentagonin me praktikat e demontimit me analizë ndërkombëtare” tha Mediu.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre nga SPAK në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.

Prokuroria e Posaçme SPAK mbylli hetimet për çështjen delikate të“Gërdecit”.

Ai është thirrur sot në SPAK për t’i komunikuar dy akuzat, për shpërdorim detyre dhe shpërdorim detyre në kuadrin ushtarak.

Brenda 10 ditëve dosja do të shkojë në GJKKO që të shqyrtohet, ndërsa Mediu tashmë është i pandehur.
Kujtojmë se SPAK regjistroi procedimin penal për ish-Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, duke e marrë atë të pandehur për ngjarjen e vitit 2008 të ndodhur në Gërdec ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.

Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, të parashikuara nga Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak.