Gërdeci, Fatmir Mediu, drejtësia shqiptare dhe roli i DASH

Ishte data 15 mars 2008, kur në Gërdec, një fshat i Vorës, pak kilometra larg kryeqytetit, shpërtheu një sasi e madhe municionesh. Për pasojë humbën jetën 26 persona, u plagosën 27 të tjerë, si dhe u dëmtuan qindra banorë të zonës. Tragjedia shkaktoi edhe një dëm ekonomik, që kapte vlerën  e 2 miliardë lekëve.

Për këtë tragjedi, prokuroria shqiptare dërgoi në gjykatë 28 të pandehur, mes tyre, presidentin e kompanisë ‘Albademil’ , Mihal Delijorgji, drejtorin e kompanisë MEICO, Ylli Pinari, si dhe drejtorin e fabrikës ku bëheshin punimet, Dritan Minxholli.

Çështja atëkohë, megjithëse shumë sensitive, u hetua dhe gjykua nga Prokuroria dhe Gjykata e Tiranës. Me një dënim minimal, dhe pa u thelluar aspak në përgjegjësinë reale, të 28 të pandehurit, ia hodhën paq pak vite më pas.

Teksa kaluan vite me radhë, familjet e personave që humbën jetën në këtë tragjedi, kërkuan vazhdimisht që dikush të mbajë përgjegjësi për gjithë çfarë ndodhi.

Me krijimin e sistemit të ri të drejtësisë, konkretisht të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, shpresat e tyre duket se u ringjallën përsëri.  Çështja e Gërdecit ishte një nga çështjet e para që u referua në SPAK menjëherë pas krijimit të kësaj strukture.Familja Durda kërkoi hetimin e Ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediu.  Padinë e ngritur nga familja Durda, të cilët humbën në këtë tragjedi fëmijën e tyre 7 vjeçar, SPAK e konsideroi si të plotë dhe të vlefshme për t’u hetuar.

Sot, 15 vite më pas, kemi akuza zyrtare, kundër personit që atë kohë kishte në dorë mbrojtjen e vendit. Ish ministrit të Mbrojtjes.

 Pikëpyetja më e madhe, është se si atëkohë u vlerësua ndryshe, dhe ndryshe vlerësohet sot.

Këtu, me të drejtë, gjithëkush nga qytetarët shqiptarë, krijon bindjen se kemi drejtësi të blerë e të katapultuar politikisht.  3 vite pas regjistrimit të çështjes kundër fatmir Mediut, SPAK doli me përfundime të hetimeve, ku e akuzojnë ish ministrin e Mbrojtjes për ‘Shpërdorim detyre’ dhe “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”.

“Në përfundim të hetimeve paraprake është paraqitur në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesë për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr.279 viti 2021, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal. I pandehuri Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me proçesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe V.K.M Nr.138, date 14. 03. 2007 “Per proçeduren e trajtimit te armeve, teknikes dhe pajisjeve te forcave te armatosura, te hequra nga armatimi dhe perdorimi, persa i perket shitjes per çmontim dhe çmilitarizim te nje sasie municioni”, të cilat kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.”, njofton SPAK.

Një akuze të tillë, vetë Mediu iu përgjigj duke e konsideruar si politike. Ndër të tjera Mediu nënvizon se ka zgjedhur t’i shmanget debatit mediatik për këtë çështje, sepse ka mendon që gjyqet popullore nuk kanë të bëjnë me të drejtat themelore dhe me një gjyqësor demokratik. Ai shprehet i bindur se akuzat janë të paligjshme dhe do të rrezohen në një proces të drejtë, objektiv dhe të ndershëm.

 

Nga ana tjetër, atkohë, siç e cituam edhe më lart, Delijorgji, Pinari dhe Minxholli, arritën tia hedhin drejtësisë me pak penalizim.

Por çfarë ka të re në hetimet e SPAK për to?

SPAK njofton gjithashtu se gjatë hetimeve të këtij proçedimi penal janë kryer gjithashtu veprime të mëtejshme në lidhje me proçedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.

Lidhur me këtë episod, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes penale, duke u rregjistruar proçedimi penal nr.279/1 viti 2023, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287 të Kodit Penal. Brenda në dosje, nuk mungojnë edhe akuzat për pastrim parash.

“Në kuadër të këtij proçedimi penal janë kryer gjithashtu veprime të mëtejshme në lidhje me proçedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida”, njofton SPAK.

Por si dolën këto prova të reja që çuan në përfundime?

Në një nga paragrafet që i referohet SPAK në dërgimin ne gjykatë të çështjes Gërdeci ka të bëjë me një letër porosi të ardhur nga DASH drejt Ministrisë sonë të Drejtësisë. Bëhet fjalë për prova dhe dëshmi të reja që janë mbledhur gjatë hetimit të çështjes së trafikut të armëve që është bërë në SHBA për të manipuluar me një kontratë të Pentagonit me 300 mln dollarë. Efraim Diveroi, ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë amerikane, duke pranuar vetëm një akuzë, për të cilën ka bërë 4 vjet burg. Ai dhe bashkëpunëtori i tij kanë dëshmuar për takimet në Tiranë dhe aferën që kanë bërë me kompaninë shtetërore MEICO me zyrtarë të qeverisë që kanë takuar. Dëshmitë e tyre kanë ardhur në Ministrinë e Drejtësisë që akoma nuk janë dërguar në SPAK. Janë dy afera të ndryshme në Gërdec:  është ajo me viktima dhe afera e trafikut të fishekëve drejt Afganistanit që zhvillohej në Shqipëri.

Aida Topalli