Gazetari amerikan nxjerr emrat për tragjedinë e Gërdecit: Kam dokumenta, asgjë nuk fshihet dot përgjithmonë!

Gazetari amerikan Guy Lawson, autor i librit “Armët dhe çunat”, i cili fitoi gjyqin pas padisë së Shkëlzen Berishës thotë se ka një mënyrë për të rihapur hetimin për çështjen e Gërdecit, nëse ka vullnet real për drejtësi në Shqipëri.

Në një intervistë për Dritare.net ai tha se nevojitet guxim për t’i bërë ballë kësaj historie por Shqipëria, si anëtare e NATO-s, si një vend që po përpiqet të jetë pjesë e Evropës, ka nevojë të krijojë rrugën e saj dhe të mos jetë frikacake nën hijen e Amerikës.

“Vetëm njerëzit që e duan Shqipërinë, mund ta shpëtojnë të vërtetën e kësaj ngjarjeje. I kam emrat, kam edhe dokumente”, thotë gazetari në intervistën e dhënë për gazetaren Rudina Xhunga në mars të 2016-ës!

Intervista

Dritare.net: Asgjë nuk fshihet dot përgjithmonë. Mendoni se faktet do të dalin një ditë?

– Nevojitet guxim për t’i bërë ballë. Është e lehtë për mua si një gazetar në Amerikë që të jem i guximshëm, për t’i detyruar njerëzit të thonë të vërtetën, por e di gjithashtu se për një gazetar shqiptar është shumë më e vështirë. Nëse shikoni rastin e Kosta Trebickës dhe vdekjes së tij në rrethana shumë të dyshimta në një aksident me makinë, i cili nuk është hetuar siç duhet, kuptoni se çfarë ndodh nëse përpiqesh të thuash të vërtetën dhe t’i bësh ballë këtyre njerëzve.

Pra, mendoj se nevojitet pak diplomaci e vërtetë nga ana e qeverisë amerikane, për të folur jo vetëm për dëshirën e një qeverisjeje të hapur dhe të ndershme në Shqipëri, por për të bërë përgjegjës zyrtarët.

Nevojitet diçka më shumë nga vetë Edi Rama dhe njerëzit rreth tij. Shkoni pyesni pse nuk keni nxitur të hapet një hetim; çfarë ka ndryshuar; pse ajo që ndodhi në Gërdec nuk është më kuptimplotë; pse nuk kanë më rëndësi jetët e njerëzve; nuk ka më rëndësi Kosta Trebicka?

Dritare.net: Po kush ishte i përfshirë ?

– Kryeministri i Shqipërisë dhe Ministri i Mbrojtjes. Kemi miliona dollarë të zhdukur nga çmontimi i një grumbull municionesh të tepërta, kemi 26 civilë të vrarë; keni një njeri, Kosta Trebickën, i cili i tregoi të vërtetën pushtetit, që e çoi të vërtetën tek New York Times dhe më pas në Pentagon, e në fund tek Departamenti i Drejtësisë në Amerikë dhe asnjëri prej tyre nuk donte t’ia dinte për të vërtetën.

Në fakt, kjo iu kthye për keq atij. Pra, ajo që dua të them është se struktura e korruptuar politike në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë amerikane në lejimin e atij korrupsioni, bënë që zyrtarët shqiptarë nuk mbajtën përgjegjësi dhe individë të caktuar dolën të fituar nga kjo skemë multimilionë dollarëshe.