Fredi Beleri nuk do të betohet si kryetar i bashkisë së Himarës

Fredi Beleri nuk do të betohet si kryetar i bashkisë së Himarës, pas fitores së 14 majit.  Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e tij per te marre pjese ne ceremoninë e betimit. Sipas ligjit të qeverisjes vendore kryetari i bashkisë bën betimin para këshillit bashkiak, i cili në rastin e Himarës është planifikuar për të martën.

Por në këtë ligj, nuk ka një nen përcaktues se çfarë ndodh në një rast specifik si i Fredi Belerit, i cili nuk është në kushtet e mospranimit të mandatit. Mungesa e këtij neni  krijon një kaos ligjor për mënyrën se si do të qeveriset Himara deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata për akuzat që rëndojnë ndaj kryetarit të zgjedhur në 14 maj.

Në këto kushte, mund të merret në konsideratë pika 4 e nenit 60 në ligjin për bashkëqeverisjen vendore i cili thotë se;

Ushtrimi i mandatit të kryetarit të Bashkisë fillon kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”, që do të thotë se deri sa të bëjë betimin Fredi Beleri, Jorgo Goro mund të vijojë të qendrojë në krye të detyrës.

Është hera e parë në historinë e zgjedhjeve vendore të Shqipërisë që një kryebashkiak zgjidhet, teksa ndodhet në qeli.  Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, me akuzat se po shperndante para në këmbim të votave. Fredi Beleri ka kërkuar disa herë që të që të lirohet nga qelia, por kërkesat e tij janë rrëzuar nga gjykatat. Së fundmi Apeli i Gjykatës së Posaçme i ka rrëzuar Belerit dhe pretendimet për arrestim të paligjshëm dhe pavlefshmëri të përgjimeve. Beleri  u ndalua së bashku me Pandeli Kokaveshin, i cili u lirua nga qelia për shkak të problemeve shëndetësore.

BURIMI: KLAN NEWS

GAZETARE: KLESIANA OMERI