Fredi Beleri kërkon pavlefshmëri të përgjimeve
Kandidati fitues për Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e 14 Majit, Fredi Beleri, me anë të avokatëve të tij i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit me ankim, kundër vendimit të Gjykatës së Vlorës që lejoi përgjimin e tij në datën 10 Maj. Ai kërkon të shpallë të paligjshme përgjimet audio dhe video në vende private, të bëra me urdhër të Prokurorisë dhe që u konsideruan të ligjshme nga Gjykata e Vlorës.
Avokatët e tij janë shprehur se vendimi që angazhoi grupet operacionale për përgjimin e tij nuk ka datë dhe orë të fillimit dhe mbarimit të veprimit, ashtu sikurse as kërkesa për vleftësimin e tyre, duke e bërë atë të paligjshëm. Gjykata e Posaçme e Apelit do e shqyrtojë këtë kërkesë në datën 16 Qershor në Dhomë Këshillimi, teksa gjyqtari i cili do ta vlerësojë atë është Florjan Kalaja. Kujtojmë këtu se falë këtyre përgjimeve, janë siguruar provat kryesore kundër kandidatit fitues në Bashkinë e Himarës që tregonin përfshirjen e tij në shitblerjen e votave për zgjedhjet lokale të 14 Majit.