Flasin prindërit e të zhdukurit Eraldo Muçit: Kemi dy javë pa gjumë e pa bukë! Është parë në Sukth …

Eraldo Muçi, 30 vjeç, është zhdukur pa asnjë gjurmë prej dy javësh.

I riu, i njohur si miku më i besuar i Aleksandër Sadikajt, i vrarë me tritol në vitin 2022 u pa për herë të fundit në autostradën Durrës-Tiranë, dhe që prej atij momenti nuk ka pasur më asnjë kontakt me familjen.

Sipas dëshmive të afërmve për Blu TV, Eraldo ndaloi për herë të fundit te ferma e kuajve e familjes Sadikaj, përpara se të udhëtonte drejt Durrësit. Prej asaj dite, familjarët e tij kanë frikë se i biri mund të jetë bërë viktimë e një atentati për motive hakmarrjeje, por ende mungon një pistë zyrtare nga autoritetet.

Policia ka nisur hetimet, por misteri rreth zhdukjes së tij thellohet. Familjarët kërkojnë ndihmën e publikut dhe drejtësisë: “Djali ynë nuk ka qenë kriminel, ka qenë i heshtur dhe i drejtë. Dikush di, por hesht.”

Rrëfimi I babait:

“Më 15 Qershor ditë të diel ka qënë. Ka fol ma të ëmën në darkë. Që atë dite asgjë nuk dim.”

Po çfarë i tha mamas?

“Borxh nuk ka pasur. Asgjë nuk I tha. Sherr nuk ka pasur. Pas rreth një javë kam bërë denoncimin në Memaliaj. Kur ka ikur, në Durrës është parë në Sukth tek një karburant. Dhe ka shkuar në shpinë e një personi. Kaq dim. Me makinë ka qënë”

Ka qënë shok me Aleksandër Sadikajn?

“Ai ka shokë në Memaliaj, Durrës, Tiranë, shumë shokë ka. Kemi pa gjumë që kur iku. Nuk jam më I ri. Ca të bëjmë.”

A punonte djali?

“Nuk punonte. Kishte një kredi në shtet po ja laj ujë muaj për muaj. Ai se di ku është. Zoti e di atë punë”

Rrëfimi i mamasë:

“Më tha jam në Memaliaj, do vij në darkë, po nuk me erdhi. Një shok na tha që deri në Sukth ka qënë. Pastaj kemi infomacion që ka ikur për Tiranë.”

“Asnjë shqetësim nuk kemi pasur nga djali.”

“Dua që djali të më kthehet në shtëpi. Të jetë mirë në rradhë të parë. E kemi rritur me bukë thatë. Kemi vuajtur shumë.”

“Ishim prap dje në polici. Kanë shkuar në Gjirokastër në Durrës, deri në Tiranë. Por ende nuk ka asgjë”

Sa ditë ke si nënë që jeni pa gjumë?

“Mirë pa gjumë po jemi dhe pa ngrënë. Duam të na gjendet dhe po që se futet në burg. E di që e kam në burg.”