Një 52-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga policia e Fierit, teksa kujdesej për 90 bimët narkotike të mbjellura në mes të pemëve frutore në fshatin Kafaraj.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i kontrolleve të kryera në fshatra dhe në terrene malore të qarkut, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, të mbështetura nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Kafaraj”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi G. T., 52 vjeç, banues në fshatin Kafaraj, Fier.
52-vjeçari u kap në flagrancë, teksa kujdesej për bimët narkotike cannabis sativa, që i kishte kultivuar në mes të disa pemëve frutore, në tokën në pronësi të tij, në fshatin ku banonte.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u asgjësuan nëpërmjet djegies, 90 bimë narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.