60-vjeçari ka marrë armën e personit me inicialet N.Sh., për ta fshehur në mënyrë që të shmangeshin përgjegjësitë ligjore.
TIRANË– Tre persona të identifikuar si Eris Bulku 32 vjeç, Ibrahim Bulku 60 vjeç (babë e bir) dhe Noldi Shima, 40 vjeç kanë përfunduar në pranga pas një konflikti me armë zjarri që ka ndodhur në Tiranë, pranë zonës së Pezë-Helamsit. Konflikti ka nisur mes 40-vjeçarit dhe 32-vjeçarit. 40-vjeçari ka nxjerrë dhe armën e zjarrit, por me ndërhyrjen e policisë është shmangur përshkallëzimi i konfliktit mes tyre. Dy të rinjtë janë vënë në pranga, por bashkë me ta është arrestuar dhe babai i 32-vjeçarit, i cili ka marrë armën e Shimës për ta fshehur në mënyrë që të shmangeshin përgjegjësitë ligjore.
Njoftimi i policisë Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Prevention”.
Falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 6, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me armë zjarri. Vihen në pranga 2 shtetas që u përfshinë në konflikt dhe 1 shtetas tjetër që fshehu armën e zjarrit. Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë dhe 2 krehra me municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit për një konflikt me armë zjarri, në fshatin Pezë Helmës, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Prevention”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– N. Sh., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
– E. B., 32 vjeç, banues në Pezë-Helmës, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
– I. B., 60 vjeç, banues në Pezë-Helmës, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur parandalimi i konfliktit për motive të dobëta mes shtetasit E. B. dhe shtetasit N. Sh., i cili mbante me vete armë zjarri. Gjatë konfliktit fizik, shtetasit N. Sh. i ka rënë në tokë arma e zjarrit, të cilën e ka marrë shtetasi I. B. (babai i shtetasit E. B.) dhe e ka fshehur për të shmangur përgjegjësinë ligjore. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me 2 krehra me fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.