Ekzekutimi i 41-vjeçarit në Vlorë, familjarët kanë ankesa për ekspertët mjeko-ligjor: Kemi 10 orë që po presim në morg

Një ngjarje e rëndë tronditi një natë më parë qytetin e Vloës, ku u ekzekutua një 41-vjeçar, i identifikuar si Leartiad Kekaj.

41-vjeçari u ndoq nga një makinë “Audi” me targa italiane dhe u qëllua në ecje e sipër, ai ka tentuar të largohet me vrap pasi është rrëzuar nga motori, por është arritur dhe qëlluar sërish nga autorët, duke e lënë të vdekur.

Por pas ngjarjes së rëndë, famikjarët e 41-vjeçarit kanë pasur ankesa në lidhje me vonesat për ekspertizën mjeko-ligjore ndaj trupit të viktimës në morgun e spitalit të Vlorës.

Mjeku është vonuar për orë të tëra, arsyet tëcilat nuk dihen, teksa familjarët ishin të gatshëm të shkonin ta merrnin vetë mjekun, mjafton që viktima të shkonte në shtëpi brenda 12 orësh.

Po presim mjekoligjorin, kemi që në orën 10 këtu, asnjë përgjigje, vijnë e ikin. Do vij tani, do vij pastaj e nuk po vijnë. Na thonë që do vij nga çasti në çast, na gënjejnë. Kërkesa jonë është të vijë sa më shpejt mjekoligjori, brenda 12 orëve duhet të iki trupi në shtëpi. Kaq! Nuk e dimë nëse institucioni ka mjek ligjor, na kanë thënë do vijë nga Fieri. Tani ne jemi në dispozicion të shkojmë ta marrim mjekoligjorin vet nëse shteti nuk e disponon, shkojmë ne e marrim, por brenda 12 orëve ne duhet ta marrim trupin ta çojmë në shtëpi. Kaq është kërkesa jonë,” – u shpreh një nga familjarët e Kekajt në një prononcim për mediat.