Ekstradohet nga Spanja, Lulzim Berisha
Më shumë se 1 vit e 3 muaj pas arrestimit të tij në Spanjë, Lulzim Berisha, ish-kreu i bandës së Durrësi është ekstraduar këtë martë, duke mbërritur në Tiranë. Pas mbërritjes në Rinas, Berisha është shoqëruar nga policia shqiptare drejt burgut 313 në kryeqytet.
Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2022.
Berisha ka humbur betejën ligjore në Spanjë, duke kundërshtuar ekstradimin në Shqipëri, pas 15 muajsh qëndrim atje, ku u gjet i transformuar, me mjekër të bardhë dhe tatuazhe në duar, duke përdorur një identitet bullgar.
NJOFTINI INTERPOL TIRANA
Ekstradohet nga Spanja, një shtetas me rrezikshmëri shoqërore të lartë, i akuzuar për disa ngjarje kriminale kundër jetës.
Operacioni për kapjen e tij në Spanjë, i koduar “Sant Joan”, u finalizua më 14 dhjetor 2023, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FAST Albanias dhe FAST Spanjës.
Në vijim të këtij bashkëpunimi, Interpol Tirana dhe Interpol Madridi finalizuan procedurën për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri, të shtetasit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, L. B., 54 vjeç.
Në vitin 2020, atij i është caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Vrasja në rrethana cilësuese”, kundër 2 ose më shumë personave dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Në bashkëpunim me shtetas të tjerë, 54-vjeçari dyshohet se:
-në vitin 2004, ka plagosur me armë zjarri, shtetasit V. L. dhe Xh. N.;
-në vitin 2005, në afërsi të fshatit Koxhaj, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin K. S. dhe ka plagosur shtetasin O. T.;
-në vitin 2005, ka vrarë shtetasit V. L. dhe A. A., me lëndë shpërthyese të vendosur në kabinën e një ashensori.