‘’EAGLE VILLAS’’/ Ky është biznesi i Prek Kodrës, të kërkuarit nga SPAK që ‘’plagosi’’ Thethin dhe futi Ramën në sherri me prokurorinë
Kryeministri Edi Rama, këtë të hënë të 7 korrikut, tha se në Theth, në një nga vendet me bukuri të rralla natyrore të Shqipërisë, është ndërtuar pa leje.
Bëhet fjalë për biznesin ‘’Eagle Villas Theth’’. Nga një hulumtim, ky biznes është ndërtuar brenda vitit 2025, ndërsa aktivitetin e saj e ka nisur diku në fund të muajit qershor, duke operuar në platforma turizmi si Booking.
Kabinat pa leje në Theth janë në pronësi të Prek Kodrës. Prek Kodra është i njëjti person që në vitin 2021 në një dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit të Kosovës, kishte planifikuar për të vrarë me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe 2 politikanë të tjerë të njohur të Kosovës. Ai është shpallur në kërkim edhe nga SPAK në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, në akuzë për disa ngjarje kriminale.
Prokuroria e Shkodrës ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama se një fshat turistik u ndërtua pa leje në Theth dhe se prokurorja Elsa Gjeli hodhi në kosh denoncimin e Policisë duke mos nisur hetim. Në një reagim për mediat, Prokuroria e Shkodrës thotë se për rastin në fjal, nga faktet që ka referuar Policia e Shtetit, nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm. Prokuroria thotë se strukturat kanë qenë kontenjerë të përkohshëm pa themele, të vendosura mbi pllaka guri, dhe si të tilla nuk përmbushin kriteret për të konsideruar objekt ndërtimi.
Prokuroria thotë se vetë Policia, në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes është shprehur se, kontenjerët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por kanë qenë të vendosura mbi rrasa guri të prera. Prokuroria thotë se struktura të tilla nuk kërkojnë pajisje me leje ndërtimi, por vetëm deklaratë paraprake.
Sipas Prokurorisë, Vetë IMT e Shkodrës, në shkresën e saj drejtuar Policisë Gjyqësore e ka klasifikuar faktin si kundërvajtje administrative, jo si vepër penale dhe në këto kushte duhet të kishin vepruar institucionet kanë në përgjegjësi menaxhimin e territorit.
View this post on Instagram
Kryeministri Edi Rama reagoi sërish për rastin e fshatit turistik në Theth, për të cilin thotë se ishte ndërtim pa leje. Ndërsa ka ndarë një foto nga aksioni i IMT, Rama shkruan se të gjitha kabinat e “fshatit turistik” të kriminelit që plagosi Thethin do i marrë shteti.
“Natyrisht që të gjitha kabinat e “fshatit turistik” të kriminelit që plagosi Thethin do i marrë shteti dhe skuadra e Bashkisë Shkodër nuk do të largohet nga Thethi pa e shëruar zemrën e qytezës magjike, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e skandalit “Gjeli” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë”, shkruan Rama.