E rëndë në Hamallaj, dhunohen anëtarët e një familjeje. Një prej autorëve, pjesë e shoqëruesve të kryeparlamentares Nikolla/ Reagimi i saj
Një konflikt ka ndodhur në fshatin Hamallaj mes familjes Nikolla dhe familjes Kaçi, ku janë përdorur shkopa bejsbolli dhe armë.
Familja Kaci ka bërë disa denoncime nëpër institucione dhe përpjekje për të shmangur konfliktet me familjen Nikolla, por me sa duket pa rezultat. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Hidrovor të Hamallajt.
Ndërkohë mësohet se, Martin Nikolla së bashku me vëllezërit e tij i kanë zënë pritë dhe kanë goditur me shkopinj bejsbolli e mjete të forta familjen Kaçi, komshinj të tyre.
Martin Nikolla, i cili është punonjës i Gardës së Republikës dhe pjesë e grupit të shoqërimit të kryeparlamentares Lindita Nikolla së bashku me vëllezërit e tij i kanë zënë pritë dhe kanë dhunuar shtetasin Pjetër Kaçi, 80 vjeç kryefamiljar i familjes Kaçi cili po kalonte në rrugën e lagjes.
Përmes një reagimi në Facebook, Nikolla shprehet se ngjarja e ndodhur në Hamallaj është e dënueshme.
“Ngjarja e ndodhur sot në Hamallaj, ku është përfshirë efektivi i Gardës së Republikës (që nga viti 2006) Martin Nikolli është e dënueshme.
Dëshiroj të përshëndes Policinë e Shtetit për ndalimin e menjëhershëm të personit në fjalë dhe të inkurajoj organet e drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka gisht në këtë rast flagrant, pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer deri më sot.
Në të njëjtën kohë, solidarizohem plotësisht me familjen Kaçi dhe i siguroj se institucionet e Republikës janë të angazhuara dhe në krye të detyrës për t’i ofruar të gjithë mbrojtjen që parashikon ligji”, ka shkruar Nikolla.
Madje sipas tyre, Martin Nikolli ka nxjerrë pistoletën duke ia drejtuar familjes Kaçi e me të ka gjuajtur 5 herë në drejtim të tyre.
Si pasojë e dhunës janë plagosur 3 djemtë e familjes Kaçi njëri prej të cilëve ka marrë fraktura në kokë ndërsa dy të tjerët janë në gjendje më të mirë, gjithashtu pre e dhunës kanë rënë dhe gra e fëmijë.
Policia ka kryer veprimet hetimore në vendngjarje dhe ka shoqëruar personat e përfshirë në konflikt.