E “premtja e zezë”/ 11 të vdekur në pak orë në Shqipëri, mes tyre babai me dy fëmijët

Një ditë e zezë për Shqipërinë, duke shënuar një bilanc tragjik në jetë njerëzore është cilësuar kjo e premte. Gjatë pasdites kanë humbur jetën 11 persona, në rrethana tragjike.

Dy persona ndërruan jetë në plazhin e Lezhës dhe Durrësit për shkak të arrestit kardiak.

Një tjetër tragjedi ndodhi në Gramsh. Babai, me dy djemtë e tij dhe nipin u mbytën në liqenin e Hidrocentralit të Banjës në Gramsh.

Kurse një 58 vjeçar, ka humbur jetën në qytetin e Elbasanit, teksa lëvizte me një kalë karroce u përplas për vdekje.

Tragjeditë këtë të premte nuk kanë të mbaruar pasi një tjetër është shënuar rreth orës 09:40, në Shkallnur të Durrësit ku një 70 vjeçare, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, në banesë, dhe për pasojë ka humbur jetën.

Ndërkohë gjatë pasdites, një i ri humbi jetën në Himarë pasi makina që po drejtonte doli nga rruga dhe u përmbys dhe për pasojë mbetën të plagosur edhe tre turistë të tjerë.

Paraditen e sotme, një 45-vjeçar ka humbur jetën këtë të premte në Elbasan pasi ka rënë nga lartësia. Ai ka qenë duke lyer muret e një ndërtese kur ka rënë aksidentalisht.

Një tjetër ngjarje e rëndë u shënua pak para mesnatës ku si pasojë e një aksidenti ka humbur jetën një shtetas dhe janë plagosur disa të tjerë. Nga informacionet paraprake tjeter bëhet me dije se ata po udhëtonin me një mjet tip “Range Rover” dhe ka rënë në një humnerë.