Dosja “Veliaj”/ SPAK merr të pandehur edhe biznesmenin Mirton Lika të “Sky Tower” në Tiranë

Në lidhje me dosjen “Veliaj”, Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur edhe shtetasin Mirton Lika, një biznesmen dhe Konsull Nderi i Sri Lankës në Republikën e Shqipërisë.

Ai është marrë i pandehur në lidhje me ambientin e ndodhur në katin e 11-të të kullës të quajtur “Sky Tower”, e cila dyshohet se posedohet nga bashkëshortja e Erion Veliaj, si pronë e fshehur.

Ambienti ndodhet një kat më sipër zyrës së regjistruar të organizatës “Harabel“ që drejtohet nga Ajola Xoxa, teksa nuk është deklaruar në asnjë prej deklaratave të pasurisë së çiftit Veliaj-Xoxa. Me urdhër të SPAK, BKH ka ushtruar kontrolle në këto ambientet, ku janë gjetur materiale që kanë implikuar Ajola Xoxën.

Në letra, ambineti zotërohet nga kompania “Lani Shpk”, që është administruese e kullës “Sky Tower” dhe pronarë të saj janë ish-deputeti i PS-së Vladimir Kosta me 70% të aksioneve, si dhe Mirton Lika me 30% të aksioneve.

Palët pretendojnë se ambienti ishte marrë me qira nga “Partners Law“ e Ajola Xoxës dhe përdorej për evente dhe skenografi, por SPAK, nga hetimet e kryera, dyshon se kemi të bëjmë me një pasuri të fshehur të bashkëshortes së Erion Veliajt.